I dëmtuari Mentor Maqani ka thënë se hetuesve të Policisë së Kosovës, Lavdim Osmanit dhe Faton Zabërgjës, u kishte dhënë rreth 13,500 euro për kinse lejimin e veprimtarive të lojërave të fatit të cilat kishin qenë të ndaluara me ligj.
Këtë deklaratë Maqani e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku për korrupsion po akuzohen hetuesit e krimeve ekonomike, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi.
Maqani duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, ka thënë se kur ishte takuar me të akuzuarin Osmani dhe me policin tjetër Faton Zabërgja, fillimisht ua kishte dhënë 1,500 euro, ndërsa shumat tjera deri në 13,500 euro, dëshmitari tha se ishin dhënë në dijeni të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ai tha se ka pasur raste kur të hollat ua kishte dhënë Driton Berishës dhe dëshmitarit D.H, i cili sipas tij ka qenë mik i të akuzuarve, të cilët tha se ua kishin dorëzuar të akuzuarit Osmani dhe Faton Zabergjës, por sipas tij, Driton Berisha i cili kishte qenë punëtor i tij, nuk kishte qenë në dijeni për arsyet e dorëzimit të këtyre parave të akuzuarve.
Sipas të dëmtuarit, Driton Berisha dhe dëshmitari D.H, nuk i kishin treguar atij se kush kishte qenë në takimet që i kishin zhvilluar me policët për dorëzimin e parave.
Ai tha se nuk ishte njoftuar nga ana e Berishës dhe D.H, nëse ndonjëherë kishte munguar ndonjë shumë e të hollave, por sipas tij, Berisha ka qenë bashkëpunues me të akuzuarit dhe ka pasur mundësi t’i ketë marrë paratë pa e njoftuar.
Sipas të dëmtuarit, D.H ka bashkëpunuar i të akuzuarve dhe për shkaqe sigurie paratë që kishin pasur për t’ua dorëzuar të akuzuarve i kishin ndërruar.
I pyetur për të akuzuarin Menxhiqi, i dëmtuari ka thënë se nuk ishte në dijeni nëse ai kishte marrë para, por sipas tij, paratë kishin qenë për Lavdim Osmanin dhe Faton Zabërgjën.
“Unë nuk kam qenë i informuar se në këtë rast po involvohet dikush tjetër, nuk e di nëse Dritoni dhe të tjerët po e involvojnë Lutfi Menxhiqin në momentin kur janë dhënë të hollat”, ka thënë ai.
Sipas tij, Osmani dhe Zabërgja i kishin thënë që të deklarohet se paratë ishin duke u dhënë për kazino, e në fakt sipas të dëmtuarit, ato të holla ishin dhënë që ata të ndikonin që të mos ngritët aktakuzë ndaj tij për fajde.
Ai në fund ka deklaruar se do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike, raporton.
“Dua të më kthehen të gjitha, krejt jetën ma kanë prish këta dy, ma kanë tranu familjen, fëmin, krejt, e kanë shfrytëzu uniformen e shtetit, ishalla si ndodhë kërkujt qeshtu”, ka thënë i dëmtuari.
Ndryshe në këtë seancë, pas leximit të provave materiale të propozuara në aktakuzë, mbrojtësi i Osmanit, avokati Sokol Mushkolaj ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet Faton Zabërgja, por lidhur me këtë dëshmitar trupit gjykues, i udhëhequr nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, ka thënë se do të vendoset në seancën e radhës.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 17 shtator 2021, në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.
Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit paraprakisht ishin takuar në kafiterinë “Central”, me D.H dhe kishin arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kishin dalë nga kafiteria dhe kishin shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, ishin takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D.H.
Tutje, në aktakuzë thuhet se me 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, dy të akuzuarit kishin pranuar ryshfet, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e kishte organizuar takimin duke i kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.H., i cili ishte takuar me Driton Berishën dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e kishin dërguar tek banesa e tij, e më pas Berisha ia kishte dhënë 3,000 euro Osmanit, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.
Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte ndarë në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro, ndërsa 500 euro ia kishin dërguar kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.
Osmani po akuzuohet edhe se me 9 janar 2020, në rrugën C, në Prishtinë, nga dëshmitari bashkëpunues D.H., kishte pranuar 3,000 euro ryshfet, para të cilat dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona”, afër QMI-së, ia kishte dorëzuar dëshmitarit bashkëpunues D.H.
Po ashtu, Osmani po dyshohet se me 5 shkurt 2020, në “Mati 1”, në Prishtinë, nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia kishte dorëzuar paratë prej 3,000 euro dëshmitarit D.H., pastaj ky i fundit ishte nisur menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i kishte ndërruar, 1,300 euro ia kishte dorëzuar Osmanit dhe të tjerat i kishte ndalë për vete, ndërsa Osmani ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij ishin gjetur paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.
I akuzuari Menxhiqi po dyshohet se me 4 dhjetor 2019, pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, afër kafiterisë “Central”, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, i kishte dërguar informata dëshmitarit D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.
Këtë thuhet se e kishte bërë me 4 dhjetor 2019, kur dëshmitari D.H., i kishte kërkuar informata nëse kishte filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, Menxhiqi përmes rrjetit “Viber”, i kishte dërguar mesazh D.H., duke e njoftuar se policia kishte filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: ”D po dal vet, po kqyri se si i Fushë Kosovës pom doket paska hi s’ju kishin dhan kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”.
Menxhiqi po akuzohet edhe se me 5 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga IPK, ishin gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, me dy karikatorë dhe të gjitha ishin konfiskuar nga IPK-ja.
Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, ndërsa Menxhiqin po e ngarkon edhe me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe në aktakuzë, prokuroria kishte propozuar që të pandehurve tu ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim, të konfiskohen 9,000.00 euro të gjetura në shtëpinë e të pandehurit Menxhiqi dhe ato të gjetura në xhepin e Lavdim Osmanit në vlerë prej 1,300.00 euro gjatë arrestimit.
Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që të konfiskohen paratë e dëshmitarit bashkëpunues, D.H në vlerë prej 4,339.43 euro dhe 48-.00 FR, edhe pse sipas prokurorisë, D.H., kishte qenë i pandehur, mirëpo me urdhër të gjykatës kishte marrë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, ka bazë të mjaftueshme që vërtetohet se gjatë pranimit dhe dorëzimit të ryshfetit paratë e veta personale i ka ndërruar me paratë të cilat kanë qenë të destinuara për ryshfet. betimiperdrejtesi