Bahri Hyseni është emëruar si kryesues i Bordit të Ri të Trepçës, gjersa Ibrahim Krasniqi, Muharrem Peci, Bujar Bilalli dhe Xhevdet Tahiri do jenë anëtarët e rinj të Bordit të Trepçës të emëruar nga Qeveria Kurti.
Mirëpo, kryesuesi i emëruar nga Qeveria Kurti II, ishte emëruar në këtë pozitë edhe nga Qeveria Kurti I. Ai ishte denuar nga Inspektorati i Punës në Mitrovicë bashkë me dy anëtarë tjerë të bordit me gjobë prej 6 mijë eurosh.
Hyseni, Shyqri Sadiku dhe Shyqri Kelmendi kishin qenë tre anëtarët të Bordit të Trepçës të dënuar nga Inspektorati i Punës në Mitrovicë, shkruan Mitropol.
Kjo kishte ndodhur më datë 17 gusht 2020 dhe kishte të bënte me një vendim për shkarkimin e Basri Ibrahimit nga pozita e kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës.
Ibrahimi kishte bërë ankesë në Inspektoratin e Punës dhe e cila ishte vlerësuar me bazë nga ky institucion.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga dy po e ngritin në katër numrin e bordeve të rregullta të ndërmarrjeve, borde që janë emërtuar nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka thënë se ndërhyrja e tyre ishte e domosdoshme për të ndërprerë keqpërdorimet.