I dorëzuan familjes foshnje tjetër në Spitalin Amerikan, Vitia: Do të merren masa ndaj personave përgjegjës

Prishtinë | 20 Tet 2026 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se do të merren masa ndaj personave përgjegjës për shkeljet e mundshme gjatë inspektimit lidhur me rastin e ndërrimit të foshnjës në Spitalin Amerikan në Prishtinë, duke theksuar se nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga institucionet shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

Vitia tha se, sipas informacioneve që ka, kryeinspektori ka mbajtur një takim dhe disa nga personat që dyshohet se kanë bërë shkelje gjatë inspektimit janë proceduar në komision disiplinor, ndërsa ndaj tyre janë shqiptuar edhe vërejtje të tjera.

“Kështu që, të gjitha masat do të merren, nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga asnjë institucion, i inkurajoj qytetarët e Republikës së Kosovës që përveç kur lajmërojnë me inspektorat dhe mund të jenë të pakënaqur me vendimin e inspektoratit ose kanë ndonjë problematikë tjetër, t’i drejtohen edhe Ministrisë së Shëndetësisë, qoftë kabinetit të cilin e drejtoj, qoftë administratës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe i siguroj që do të merren të gjitha masat pa përjashtim”, tha ai.

Ministri theksoi se inspektorët shëndetësorë kanë për detyrë të monitorojnë si spitalet publike, ashtu edhe ato private, por shtoi se kontrolli i të gjitha institucioneve në kohë reale është i pamundur.

“Shiko, patjetër inspektori shëndetësor e kanë përfshirjen e detyrave të punës që t’i monitorojnë spitalet publike, por edhe ato private. A mund të monitorohen të gjitha në kohë reale? Natyrisht, është e pamundur edhe te ne, por edhe në gjithë botën. Mirëpo e rëndësishme është që kur bëhet kontroll dhe identifikohen shkelje kudo qoftë që ato janë, të merren masat adekuate konform legjislacionit në fuqi”, tha ai.

Vitia u bëri thirrje qytetarëve që t’i raportojnë shkeljet në institucionet shëndetësore, duke përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa për detajet e tjera lidhur me rastin dhe masat e ndërmarra tha se informacione mund të japë kryeinspektori.

“Të gjitha këto besoj që do të bëhen të qarta nga kryeinspektori. Unë mendoj që një pjesë e këtyre janë bërë më të qarta përmes dërgimit të një e-maili të gjitha portaleve dhe gazetarëve, dhe për masat e tjera besoj që mund ta pyesni edhe kryeinspektorin, por prapë po e përsëris, i inkurajoj të gjithë që në momentin që bëjnë shkelje të tilla në të gjitha institucionet, përfshirë këtu prapë po e përsëris kabinetin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe administratën e Ministrisë së Shëndetësisë, t’i lajmërojnë dhe i siguroj që masat do të jenë të menjëhershme”, tha ai.

Rasti u raportua para disa ditësh, ndërsa sipas informatave të publikuara, ndërrimi i foshnjave në kuadër të Spitalit Amerikan në Prishtinë kishte ndodhur më 18 mars 2026, vetëm disa orë pas lindjes.

Sipas dokumenteve zyrtare, nëna kishte reaguar duke pretenduar se foshnja që i ishte dhënë nuk ishte e saj, por shqetësimi i saj ishte neglizhuar nga stafi mjekësor shëndetësor.

Të ngjashme