I dyshuari për vrasjen në Restelicë kishte tri aktgjykime penale, dy me masa psikiatrike

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren, Dega në Dragash, ka bërë të ditur se ndaj Ferzidin Bozës nga fshati Restelicë i Komunës së Dragashit janë trajtuar gjithsej tri raste penale në vitet e fundit, për të cilat janë marrë aktgjykime dënuese, përfshirë edhe shqiptimin e masave të detyrueshme të trajtimit psikiatrik në liri.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, rasti i parë mban numrin P.nr. 2/22 dhe është gjykuar më 15 korrik 2022. Në këtë rast, Boza është shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, për çka i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Megjithatë, dënimi është pezulluar për një periudhë verifikuese prej dy vitesh, me kusht që i dënuari të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale. Përveç kësaj, gjykata ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik ambullantor në liri, në kohëzgjatje prej dy vitesh. Zbatimi i kësaj mase i është besuar Qendrës për Shëndet Mendor në Prizren, e cila është obliguar ta pranojë të dënuarin për trajtim dhe të njoftojë gjykatën për gjendjen e tij shëndetësore së paku një herë në gjashtë muaj. Për këtë masë janë njoftuar edhe Shërbimi Sprovues në Prizren dhe Qendra për Punë Sociale në Dragash.

Rasti i dytë, me numër P.nr. 56/21, është përfunduar me aktgjykim dënuese më 22 gusht 2022. Në këtë lëndë, Ferzidin Boza është shpallur fajtor për veprën penale “Dhuna në familje” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një periudhe verifikuese prej një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Edhe në këtë rast, gjykata ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, e cila do të zbatohet nga personeli mjekësor i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren deri në përmirësimin e gjendjes mendore të tij, por jo më gjatë se tre vjet. Qendra është obliguar që çdo gjashtë muaj ta informojë gjykatën për ecurinë e trajtimit.

Rasti i tretë, me numër P.nr. 65/24, është gjykuar më 17 tetor 2024. Në këtë rast, Boza është shpallur fajtor sërish për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim. Në dënim është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 30 qershor 2024 deri më 25 shtator 2024. Me propozimin dhe pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, gjykata ka vendosur që dënimi me burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro. Pas llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim, nga kjo shumë janë zbritur 260 euro, ndërsa pjesa e mbetur duhet të paguhet në afatin ligjor pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se gjatë ditës do të informojë opinionin publik për rrjedhën e mëtejmë të rastit, nëse pranohet ndonjë kërkesë për caktim të masës së sigurisë, si dhe për kohën e mbajtjes së seancës dëgjimore. /Telegrafi

Të ngjashme