I infektuari me Coronavirus nga Vitia ishte në meshë dhe dasmë

Prishtinë | 14 Mar 2020 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Dje u konfirmuan dy rastet e para me koronavirus, njëri prej të cilëve ishte një 77 vjeçar nga Vitia që hyri në Kosovë rreth një javë më parë.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, tregoi se i sëmuri për disa ditë ka shëtitur duke mos e ditur se është i infektuar.

Ai madje ka ndjekur edhe meshën, ka marrë pjesë në një dasmë, ka shkuar nëpër restorante dhe vizita familjare.

Nga dyshimi se ai ka mundur të rrezikojë njerëzit me të cilët ka pasë kontakt, Haliti drejtoi akuza drejt institucioneve qendrore se nuk kanë shkuar në këto vende për identifikim.

Por, krejt të kundërtën e thanë zyrtarët nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët bënë thirrje që të mos shfrytëzohet ky rast për polemika të tilla.

“Punonjësit e Ministrisë bëjnë me dije se secila pikë e kontaktit me personat që janë konfirmuar me koronavirus është e përfshirë në hulumtimin epidemiologjik dhe në proceset e tjera të depistimit të rasteve të tjera të mundshme”.

Zyrtarët nga Ministria e Shëndetësisë thanë se të gjithë punonjësit kanë intensifikuar punën e tyre edhe në orare më të gjata në situatën e krijuar.

Ndërkaq, kryetari i Vitisë derisa tha se po qëndron krah qytetarëve, shtoi se ata nuk u ndihmuan as me pajisje për mbrojtje dhe se u futen në karantinë pa diskutim me ta.

Megjithatë, zyrtarët thanë se në rastet e tilla institucionet qendrore marrin masat e duhura.

Shifrat e treguara nëpër botë, kryesisht në Kinë, dalin se një përqindje e vogël mund të ketë pasoja të rënda apo fatale. Vlerësohet se rreth 6% e rasteve sëmuren rëndë dhe se Covid-19 është një infeksion i butë për tetë nga 10 njerëzit që e marrin atë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme