Në Dubravë të Kaçanikut është varrosur me nderime Ismajl Vishi, atdhetar dhe veprimtar i orëve të para të LPK-së, i cili u nda dje nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Pas ceremonisë mortore që u krye me rite fetare, e ku merrnin pjesë qindra qytetarë, u fol për kontributin e madh të Vishit në kohën e lëvizjes ilegale.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili e quajti “hero të heshtur” bacën Ismajl.
“Kjo tokë, nga duart e bacit Ismajl janë pajisur njësitet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka vend të Evropës që ky burrë me plis të bardhë pa iu dridhur çerpiku ka demonstruar e protestuar. Nuk ka vend në Zvicër që nuk ka shpërndarë literaturë anti-pushtuesit. Ky burrë ka vepruar i organizuar me shokë në drejtim të çlirimit të vendit, për të jetuar të lirë shqiptarët”.
“Prandaj sot dheut të Kosovës po i japim ‘heroin e heshtur’ sepse sigurisht që pjesa dërrmuese nuk e dinë që Kosova është çliruar edhe në sajë të këtyre ‘heronjve të heshtur’”, tha Ahmeti.