Përderisa para pompave të derivateve filluan të formohen kolona në mëngjesin e së shtunës, zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson, tha se po e shqyrton marrjen e masave të përkohshme për ta adresuar mungesën e vozitësve të automjeteve të rënda të transportit.
Gazetat britanike raportuan se qeveria do ta lejojë hyrjen e deri 5.000 vozitësve të huaj në vend me viza me afat të shkurtër, masë që kompanitë e logjistikës dhe ato të shitjes me pakicë e kanë kërkuar që disa muaj, por që më parë është përjashtuar nga qeveria.
Shoqata e Transportit Rrugor të Mallrave në Britani të Madhe thotë se ky shtet ka nevojë për 100.000 vozitës shtesë, nëse dëshiron t’i plotësojë kërkesat. Mungesa e kësaj fuqie punëtore është shkaktuar pjesërisht nga Brexit-i, pandemia e koronavirusit dhe humbja e gati një viti të trajnimeve dhe testimeve për vozitës kamionësh, shkruan Reuter.
“Jemi duke shqyrtuar masa të përkohshme për t’i shmangur problemet e menjëhershme, por çfarëdo mase që marrim do të jetë e kufizuar shumë prerazi në kohë”, tha përmes një deklarate një zëdhënës i qeverisë britanike.
Ministrat britanikë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos bëjnë blerje masive nga paniku dhe kompanitë e derivateve kanë thënë se nuk ka mungesë të furnizimeve, por thjesht probleme me dërgimin e karburanteve në pompa.
Sidoqoftë, kolona të gjata me vetura filluan të krijohen para pompave, pasi kompania “British Petroleum” tha se është detyruar t’i mbyllë disa pika shkaku i mungesës së vozitësve të cisternave.