Sarmila Dharmalingam po lutet për një mrekulli. Vëllai i saj, Nagaenthran Dharmaligam, pritet të ekzekutohet në burgun “Changi” në Singapor.
“Kur jam vetëm, mendoj për vëllanë tim, kam dhimbje, por duhet të jemi të guximshëm dhe të vazhdojmë të lutemi – gjithçka mund të ndodhë”, i tha ajo televizionit BBC.
Në vitin 2019, vëllai i saj, atëherë 21-vjeçar, u kap duke u përpjekur që të trafikonte heroinë nga Malajzia në Singapor.
Nagaenthran fillimisht pritej që të ekzekutohej të mërkurën në mëngjes, por zbatimi i vendimit u pezullua në momentin e fundit. Të martën, ai doli pozitiv për Covid-19.
Shtetasi i Malajzisë u dënua me vdekje pavarësisht vlerësimit të një eksperti mjekësor se i akuzuari e ka 69 nivelin e inteligjencës, nivel që njihet si tregues i një të mete intelektuale.
Megjithatë, qeveria singaporase ka thënë se ai qartazi e ka kuptuar natyrën e veprimeve të veta dhe nuk e ka humbur ndjenjën e të gjykuarit të së drejtës apo gabimit të asaj që ishte duke e bërë.
Singapori është një ndër shtetet me ligjet më të ashpra kundër drogës dhe përdorimi i dënimit me vdekje është goxha kundërthënës. Sidoqoftë, ky rast duket se ka shkaktuar shqetësim të rrallë në ishull.
Mbi 60.000 persona kanë nëshkruar një peticion për t’i kërkuar presidentes që ta falë të dënuarin, duke e përmendur faktin se ekzekutimi i një personi të sëmurë mendërisht është i ndaluar me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.