I shkrepi 14 plumba drejt bashkëshortes së tij, prizrenasi kërkon dënim sa më të lehtë: E vrava padashje

Prishtinë | 29 Sht 2021 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Bajram Velija, i cili po akuzohet se me 14 plumba kishte vrarë bashkëshorten e tij në gusht të 2019-ës, ka kërkuar nga trupi gjykues një dënim sa më te lehtë, pasi tha se vrasjen e ka kryer pa dashje.

Një gjë të tillë Velija e ka kërkuar në seancën e së mërkurës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, gjatë së cilës u dha fjala përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se është vërtetuar gjendja faktike ashtu siç është përshkruar në aktakuzë, duke shtuar se motivi i kryerjes së veprës penale ishte mosmarrëveshja paraprake që kishte këtu i akuzuari me të ndjerën.

Prokurorja Gashi ka deklaruar se në veprimet e të akuzuarit ka ekzistuar dashja direkte, me arsyetimin se i njëjti kishte pasur vendosmëri për kryerjen e veprës penale, e se lidhur me këtë rast nuk kishte gjetur rrethanë lehtësuese, por vetëm rënduese.

E njëjta kërkoi nga gjykata shpalljen fajtor të akuzuarit dhe shqiptimin e dënimit maksimal, të paraparë sipas dispozitave ligjore.

Fjalën përfundimtare të prokurores e mbështeti edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arianit Koci.

Avokati Koci tha se rasti në fjalë është më i rëndi që nga paslufta në Kosovë, pasi që vrasja është kryer në mënyrë të rëndë, brutale, i akuzuari është tallur me drejtësinë dhe nuk ka kërkuar falje.

Sipas tij, dënimi për të akuzuarin duhet të jetë me burgim të përjetshëm dhe të jetë si mësim për shoqërinë, që raste të tilla të mos përsëriten.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Velija, avokati Orhan Rekathati tha se i mbrojturi i tij nuk e ka vrarë me dashje bashkëshorten e tij, por për këtë ishin shkak mosmarrëveshjet verbale mes tyre, e kjo ka ardhur pasi që i njëjti ishte në ndikimin e nervozes dhe afektit.

I njëjti tha se Velija ishte kujdesur financiarisht për bashkëshorten e tij dhe se ai nuk kishte qenë problematik, nuk kishte pasur sjellje të këqija e as nuk kishte çrregullime psikike.

Sipas avokatit, nga provat në këtë çështje penale, në veprimet e të akuzuarit nuk vërehet se ka pasur motiv të parapërgatitjes së veprës penale, e këtë tha se e kanë vërtetuar edhe deklarimet e dëshmitarëve.

Në fund, avokati Rekathati kërkoi nga gjykata një dënim adekuat për të akuzuarin Velija, duke pasur parasysh sjelljet e këtij të fundit, bashkëpunimin me organet e drejtësisë si dhe pendimin e tij të thellë.

Ndërkaq, vet i akuzuari Velija tha se nuk ka pasur mosmarrëveshje me tani të ndjerën, por se kanë pasur jetë të mirë.

Ai i kërkoi falje të gjithë familjarëve dhe vajzave, duke shtuar se asgjë s’kishte pasur të planifikuar në këtë rast, por se në ato momente ndaj tij kishte pasur fjalë që ishin të papëlqyeshme dhe se nuk e di se çfarë kishte ndodhur me të atë ditë.

Në fund, i akuzuari Velija kërkoi nga gjykata një dënim sa më të lehtë për hir të moshës, vuajtjes nga disa sëmundje kronike, pendimit të tij, e për faktin se nuk ka pasur dashje.

Pas dëgjimit të të gjitha palëve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi e ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për 1 tetor 2021, në ora 09:00.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme