“I shpëtojnë grevës”, bonus vjetor dhe rritje pagash për punëtorët e KOSTT-it

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Shoqata Sindikale e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Menaxhmentin dhe Bordin e KOSTT-it, pas një procesi të gjatë dialogu dhe disa veprimeve sindikale.

Sipas njoftimit, marrëveshja është arritur pas një dialogu të vështirë dhe konstruktiv, të zhvilluar edhe përmes ndërmjetësuesve ligjorë, tri protestave dhe vendimit të sindikatës për hyrje në grevë, transmeton Klankosova.tv.

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, për secilin punëtor të KOSTT-it do të shpërndahen nga 1,000 euro në fund të vitit. Po ashtu, është aprovuar buxheti për ngritjen e pagave duke filluar nga viti 2026, kërkesë kjo e pakusht e punëtorëve.

Ky buxhet, bazuar në njoftim, tashmë është miratuar nga Menaxhmenti dhe Bordi i KOSTT-it, ndërsa mbetet që të marrë aprovimin formal nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), pas pasqyrave financiare.

Shoqata Sindikale ka falënderuar Bordin dhe Menaxhmentin e KOSTT-it për, siç thuhet, mirëkuptimin e kërkesave të ligjshme të punëtorëve. Një falënderim i veçantë u është drejtuar sindikalistëve dhe punëtorëve të KOSTT-it për unitetin dhe besimin e treguar gjatë gjithë procesit.

Të ngjashme