I vështirë zbatimi i mësimit tërëditor në Prishtinë, shkak mbipopullimi dhe mungesa e infrastrukturës në shkolla

Prishtinë | 22 Sht 2024 | 08:55 | Nga Gzim Mujaj

Njohës të çështjeve të arsimit konsiderojnë se mësimi tërë-ditor në Prishtinë nuk do të jetë lehtë i zbatueshëm, marrë parasysh mbipopullimin dhe mungesën e infrastrukturës në shkollat e kryeqytetit.

Ekspertët Rinor Qehaja dhe Argjend Osmani për Ekonomia Online vlerësuan se nëse do të këtë sukses, ky program do të jetë një mundësi e shkëlqyer për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Drejtori i Institutit “EdGuard” Rinor Qehaja, ka thënë për Ekonomia Online se përvojat e mëparshme të reformave të ngjashme shpesh kanë dështuar pas përfundimit të mandateve të qeverisjes lokale.

“Ky proces pa dyshim që u shërben vetë komunitetit, është në interes të fëmijëve dhe nëse mirëmenaxhohet mund të kthehet në një politik super përfituese dhe diçka që i kontribuon përmirësimit të cilësisë në arsim. Mirëpo kush është zbatimi i tij sa do të jetë konsistent kjo reformë dhe sa kjo konsistencë na garanton një qëndrueshmëri është diçka që ngelet për tu parë. Rikujtoj që reformë të ngjashme kemi pasur në disa mandate më herët të njëjtës komunë, kemi pasur në komunat e mëparshme. Por që përgjithësisht pas përfundimit të mandatit nga qeverisja lokale ka përfunduar se zbatuari edhe qëndrimi tërë-ditor. Kjo nuk guxon të na ndodh pasi që na nevojitet të kthehet si një përfitim i vazhdueshëm që ka strukturë ka organizimi, ka përkrahje për ato shkolla që janë në pilotim por edhe për tërë nivelin komunal dhe jo vetëm”, ka thënë ai.

Qehaja ka thënë se mësimi tërë-ditor ka kuptim vetëm në shkollat që kanë kapacitet e infrastrukturë të duhur, duke paralajmëruar se pa ndërtimin e institucioneve të reja arsimore, ky proces mund të përfundojë në improvizim.

Ai rikujtoi se komuna e Prishtinës ka mbi 37 shkolla dhe se është e nevojshme që standardet e menaxhimit dhe infrastrukturës së mësimit tërë-ditor duhet të zbatohen për të gjitha shkollat, jo vetëm për ato që janë në pilotim.

“Mësimi tërë-ditor ka kuptim në shkolla që kanë kapacitete infrastrukturore që janë me një ndërrim, dhe mësimi tërë ditor shkon paralelë me investime kapitale në ndërtim të shkollave të reja, pra nuk ka kuptim mësimi tërë ditor me u prezantuar si politikë nëse mungon ndërtimi i institucioneve arsimore të reja. Në të kundërtën kthehemi në një proces të improvizuar në dy ose tri shkolla mirëpo që rikujtojë që komuna e Prishtinës i ka mbi 37 shkolla, pra ajo që është në interes të komunitetit është një mësim tërë ditor që është përfitues për tërë shkollat dhe jo vetëm disa shkolla që mundë të kenë një menaxhment të përkushtuar, infrastrukturë më të dinijtetshme por nuk vlen e njëjta për të tjerat, dhe ky standard i menaxhimit dhe mësimit tërë ditorë dhe infrastrukturës përcjellës duhet të jetë i zbatueshëm për të gjitha shkollat”, ka thënë ai.

Qehaja ka thënë se shumë shkolla në Prishtinë janë të mbipopulluara dhe se mungesa e hapësirave si kuzhinat dhe bibliotekat është një pengesë për zbatimin e mësimit tërë-ditor.

“Komuna e Prishtinës unë rikujtojë që shumica e shkollave ende mungojnë në hapësirat e duhura, janë të mbipopulluara dhe ky mbipopullim padyshim që e  bënë të pa mundur zbatimin mësimit tërë ditorë. Shumica e shkollave mungojnë në kuzhina, në hapësira rekreative mungojnë në biblioteka dhe të gjitha këto janë indikatorë për suksesin e mësimit tërë ditorë sepse ky mësim tërë ditorë shkon përtej një mësimi të rregullt, në fakt suksesi i kësaj reforme varet se çfarë bëjnë nxënësit në shkollë pasdite dhe çfarë bëjnë paradite”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, tha se aplikimi i mësimit tërë-ditor në Prishtinë është një hap i mirë, por se sfidat, si mungesa e infrastrukturës dhe hapësirave mësimore, duhet të adresohen.

Ai rekomandoi që ky model të zhvillohet gjithashtu në zona rurale, ku ka më shumë hapësira mësimore.

“Pa dyshim që fusha e arsimit është një fushë mjaftë e komplikuar dhe si e tillë është subjekt i ndërrimeve të shpeshta që përcillen natyrisht duke përcjellur edhe ndryshimet në shoqëri, në zhvillimi teknologjik e te tjera. Ndërrime të tilla që janë shfaqur tekë ne kohët e fundit në Kosovë, konkretisht me aplikimin e mësimit tërë ditor në Prishtinë padyshim që janë të mirëseardhura nëse do të jenë të suksesshme. Duhet pasur parasysh që problemet që po hasen dhe që do të jenë evidente edhe në të ardhmen ndërlidhen në radhë të parë me mungesën e infrastrukturës por edhe me procesin organizativ të mësimit. Kështu në pjesët rurale kemi tepricë të hapësirave mësimore, kurse në pjesën urbane, kur flasim për Prishtinën kemi mungesë të theksuar të këtyre hapësirave. Andaj nëse synohet që ky lloj mësimi të organizohet në tërë komunën e Prishtinës, kjo i bie që do të ketë mundësi dhe parakushte më të mira infrastrukturore që kjo të bëhet nëpër viset rurale e që faktikisht ta qojmë një lloj pilotimi i tij është duke u bërë në pjesën Urbane të Prishtinës”, ka thënë ai.

Osmani theksoi se ndonëse ka mundësi për sukses, problemet e hasura deri më tani do të ndikojnë në zbatimin efektiv të procesit.

“Probleme ka pasur dhe do ta përcjellin gjatë tërë kohës këtë proces, them nëse do të ishte i suksesshëm ndoshta kishte me qenë një shembull i mirë dhe do të mund të kontribuonte në ngritjen e cilësisë. Por me gjithë këto problem që janë shfaqur qysh në fillimin e implementimit të tij mendoj se nuk do të jetë i lehtë zbatimi efektiv i tij”, ka thënë ai.

Të ngjashme