Fushata lobuese, të cilën javëve të fundit e kanë ndërmarrë autoritetet e Kosovës për futjen e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, si dhe arritjen e një vendim pozitiv për Kosovën, në dhjetor të këtij viti, është mjaft e vonuar, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane.
Në këtë fushatë janë angazhuar edhe liderët kryesorë institucionalë të Kosovës, pas skepticizmit të shprehur nga vende të caktuara anëtare të Bashkimit Evropian, se një vendim pozitiv për Kosovën do të jetë i mundshëm brenda këtij viti.
Por, njohësit e integrimeve evropiane, vlerësojnë se lobimi, siç e quajnë ata “i minutës së fundit” nuk mund të jetë efektiv dhe të ndryshojë qëndrimet e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat qëndrime janë krijuar për kohë më të gjatë dhe ndërlidhen me interesat e tyre politike.
Jehona Lushaku – Sadriu, politikologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e BE-së për liberalizim të vizave dhe ky është argument i fuqishëm për të, në këtë fazë. Por, sipas saj, është paradoksale se si politikanët e Kosovës nuk kanë arritur deri më tash që ta imponojnë këtë fakt, në mënyrë që të ketë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Lobimi sigurisht që bëhet në faza të ndryshme, por bëhet gjithmonë më herët se në minutat e fundit. Këto më nuk kanë as kuptim, sepse shtetet anëtare dhe përfaqësitë e tyre janë edhe në Prishtinë. Lobimi bëhet me ofrim të statistikave dhe të dhënave të sakta për t’i bindur shtetet se është bërë përparim në pikat që ata i kanë dilemat. Kjo është lehtë e argumentueshme edhe prej Prishtinës dhe shkuarja fizikisht në shtetet e ndryshme, nuk ka kurrfarë kuptimi, posaçërisht në këtë fazë të fundit”, tha Lushaku-Sadriu.