Ia huqi “veç” për 600km, tifozi i Barçës përfundon duke ndjekur ndeshjen e kategorisë së tretë angleze

Prishtinë | 11 Mar 2026 | 21:17 | Nga Ekonomia Online

Një tifoz spanjoll i futbollit e ndërroi pa dashje një mbrëmje të Ligës së Kampionëve në Newcastle me një ndeshje të League One në Exeter, pas një ngatërrimi me stadiumin.

Pasi kishte planifikuar të shihte ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ës së finales mes “Magpies” dhe Barcelonës, ai u gjend në “St James Park” në vend të “St James’ Park” – një gabim që përkthehet në “veç” 590 km distancë, ose rreth gjashtë orë e gjysmë udhëtim me makinë.

Në një postim të shpërndarë në X, klubi i Exeterit zbuloi se personi kishte bërë udhëtimin nga Devon me shpresën për të parë lojtarë si Lamine Yamal dhe Robert Lewandowski, ndërsa klubi e ndihmoi t’i sigurohej një biletë falas për ndeshjen e tyre të kategorisë së tretë kundër Lincolnit.

Ndërkohë që Yamal po shënonte një gol dramatik barazimi në minutat shtesë në Tyneside, tifozi po ndiqte nga stadiumi fitoren e Lincolnit, që siguroi tri pikët falë një goditjeje nga Tom Hamer.

Adam Spencer, zyrtar për përvojën e tifozëve te Exeteri, tha: “Një nga vullnetarët tanë erdhi në zyrë për të na treguar se ky djalë kishte ardhur duke pritur të shihte Barcelonën”.

“Anglishtja e tij nuk ishte shumë e mirë, por nga sa kuptuam, ai kishte ardhur nga Londra. Mendoj se ai kishte shkruar ‘St James Park’ në telefon dhe pastaj thjesht kishte ndjekur udhëzimet prej andej”.

“Ai ishte mjaft i dëshpëruar dhe pak i turpëruar. Kështu që ne i siguruam një biletë dhe ai arriti të shohë një ndeshje në ‘St James Park’ të vërtetë. Do të ishte i mirëpritur të kthehej përsëri kur të dëshironte”, u shpreh ai.

Të ngjashme