Janë mbi 12 mijë shqiptarë të veriut të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar nga banesat dhe shtëpitë e tyre në pjesën veriore dhe vazhdojnë të jetojnë në jug të Mitrovicës, si dhe në qendrat tjera të Kosovës.
Përveç që nuk u lejohet të kthehen në banesat e veta, aktualisht të uzurpuara nga serbët e veriut të Mitrovicës, shqiptarëve të asaj pjese nuk u lejohet as rindërtimi i shtëpive, të cilat u janë djegur dhe u janë rrënuar gjatë luftës dhe pas lufte. Gjithashtu, Veriu i Mitrovicës është cilësuar se është shndërruar në “oazë të krimit”.
Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Nuredin Ibishi, dhe njëherit njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se Veriut të Mitrovicës do t’i kthehet normaliteti.
Sipas tij, marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë do të ndikojnë që Veriut t’i kthehet normaliteti.
“Po ritheksoj edhe njëherë se në si Komision për Punë të Brendshme, Siguri dhe FSK kemi vizituar Veriun e Mitrovicës dhe jemi bindur për gjendjen në veri, me ç’rast kemi ndërmarr edhe masa të menjëhershme”, ka thënë Ibishi.
“Është shpresëdhënëse marrëveshja e fundit tashmë që është nënshkruar, e cila së shpejti do të zbatohet edhe në Prokurorinë dhe Gjykatat në Veri. Kështu në një formë do të futet edhe në aspektin e pushtetit gjyqësor. Realisht ka pasur shumë pengesa edhe kjo marrëveshje ka edicione të mira që të shpije nga futja nën kontroll për arsye se nëse krimi nuk dënohet edhe nuk ndërmerren masat e duhura atëherë normal edhe kriminelët dhe krimi rritet”, ka thënë ai.
“Dhe, për këtë arsye mendoj që me këto marrëveshje të fundit po arrihet ajo që është synuar edhe më herët dhe do të realizohet, edhe përveç prezencës së Policisë në Veri, e cila realisht është duke realizuar mandatin e vet, por atje duhet të ketë një mbështetje reale çfarë duhet të ketë…
“Kjo situatë tashmë me zbatimin e kësaj marrëveshje mendoj që do të sjellë situatën e qetësisë në vend dhe normal fillimin e zbatimit të ligjit në aspektin gjithëpërfshirës”, ka thënë Ibisihi.
Intervistën e plotë me Nuredin Ibishin mund ta lexoni të shtunën kur do të publikohet.