Dëshmitari Nuredin Ibishi, i njohur si komandant Leka, në gjykimin e së martës, në rastin e Salih Mustafës, ka instistuar se nuk i ka dhënë urdhra Salih Mustafës, edhe kur nga prokurori Cezary Mihailzcuk iu treguan pjesë të deklaratës së Fatmir Humollit e vet Salih Mustafës që sipas prokurorit thonin të kundërtën e asaj çka po thotë Ibishi.
Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Cezary Mihailzcuk, dëshmitari Ibishi ka deklaruar se nofka “Korabi” i përkiste Kapllan Parduzit.
Pozita e Latif Gashit në UÇK aso kohe, ai tha se ishte shef i zbulimit dhe kundër zbulimit në kuadër të zonës operative të Llapit.
Ndërkaq, konfirmoi se i kujtohet pjesë nga deklarata që i ka dhënë mbrojtjes në vitin 2021, për çka tha se e ka thënë të vërtetën.
Më pas nga prokurori u citua një pjesë e deklaratës, ku Ibnishi kishte thënë “Latif Gashi ishte përgjegjës të shikonte rreth e rrotull dhe eventualisht, përfundimisht u evakuuam dhe u transportuam drejt spitalit”. Këtë deklaratë të cituar, dëshmitari Ibishi e ka konfirmuar, si dhe tha se i ka treguar të vërtetën mbrojtjes.
Më pas, iu tregua një dokument tjetër, që i përket të njëjtës temë, një deklaratë para një gjykatësi hetues në çështjen e Latif Gashit e të tjerëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 26 gusht të vitit 2002.
“Gjendet pyetja e përgjigja pasuese. Gjykatësi hetues: me sa kuptoj unë nga dëshmia juaj e mëparshme, ju jeni plagosur në muajin maj, ju u përgjigjët : jo unë jam plagosur me 9 prill dhe 2 apo 3 ditë më vonë më dërguan në Spitalin Ushtarak të Potokut me ndihmën e Latës dhe bashkëluftëtarëve të tij”, tha citoi prokurori.
I pyetur se a konfirmon se ia ka thënë këtë gjykatësit hetues, dëshmitari tha se me siguri që po, ndërkaq i pyetur se a ishte Lata ai që e kishte ndihmuar gjatë transportimit nga Turuçica në Potok, dëshmitari Ibishi e konfirmoi këtë dhe tha se “Lata” është nofka e Latif Gashit.
Tutje, iu kërkua të tregoj hollësi të mëtejshme lidhur me lëndimet e tij.
“Ka qenë lëndime të rënda, në kuptim të asaj, ashtu si kanë trajtue ata mjekët, nuk është çështje e ime. Jam plagos nga një armë që me konventa ndërkombëtare është e ndaluar, ka të bëj me pragën 30 mm që e ka efektin sekondar, që shkakton pasoja të rënda, sidomos ka shkaktu te civilët dhe në këtë rast te unë dhe bashkëluftëtari im Korabi. Për këtë arsye, them se lëndimet janë të karakterit të rëndë”, sqaroi Ibishi.
Plagët e tij, ai tha se i mori në stomak dhe në pjesën e shpinës, ku ende i ka mbetjet, si dhe në vesh tha se ende e ka një pjesë të fragmentit të eksplozivit.
Ai konfirmoi se gjendja e Parduzit ka qenë më e keqe se sa ajo e tij.
“Të them të dytë ishim në gjendje të rëndë, për me bo nivelizimin se cili është rëndë e më rëndë, nuk kam një vlerësim, por po them se ka qenë më rëndë se unë, dytë kemi qenë në gjendje jashtëzakonisht rëndë, po të mos shkonim me kohë në spitalin ushtarak dhe t’i nënshtroheshim operimit do të vinte te sepsa. Për kundër operimit që u bë pas dy ditëve që folëm, te ai u ngadalësua aspekti i shërimit në të vërtetë i trajtimit, për këtë arsye po them se gjendja e tij prej dy gjendjeve të rënda, ai e ka pas më të rëndë”, tha dëshmitari Ibishi.
Tutje, ai tha se s’po kupton fare se pse është e rëndësishme se cili ishte më rëndë dhe nuk ka asnjë kuptim kjo dhe sipas tij është edhe ofenduese, duke shtuar se qenka dashur të merrte fotot nga operimi për të parë sa e rëndë ka qenë gjendja.
“Nuk po i vë në pikëpyetje dëmtimet se sa të rënda kanë qenë ato të juajat apo Parduzit. Dua t’i tregoni trupit gjykues çka mbani mend nga ai udhëtim”, tha prokurori.
Tutje, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia, tha se askush nuk po e ofendon dhe se të gjithë do të trajtohen me respekt.
Ibishi tha se nëse dëshiron trupi gjykues mund t’i sjellin fotografitë për të parë ndërhyrjen e operacionit dhe në çfarë gjendje kanë qenë. Por, kryetarja e trupit gjykues tha se dëshirojnë të përgjigjet në pyetje dhe nëse do të donin fotografitë do t’i kërkonin.
“Dytë kemi qenë në vazhdimësi duke humbur gjak. Ka të bëj me lëndimin e organeve të brendshme të stomakut, s’di a jam i qartë”, tha tutje Ibishi.
Ndërkaq, i pyetur se a ka pasur gazë apo fashë në kokë Parduzi, dëshmitari Ibishi tha se nuk i kujtohet.
Dëshmitari Ibishi tha se realisht për shkak të largësisë në krahasim me vetndodhjen të komandës së zonës, por edhe shtabit dhe pamundësinë që të qarkullojnë në pjesën urbane, kanë bërë ndalimin e rreptë të udhëtimit ngase kanë pësuar pesë luftëtarë të tyre që janë vrarë në Prishtinë në mënyrë arbitrare nga forcat serbe.
“Mundësia jonë për të udhëtuar në zona urbane ka qenë rreptësishtë e ndaluar. Nuk kemi dashur të hapim konflikt në zona urbane për shkak të popullatës. Edhe largësia gjeografike dhe qasja e pamundësisë në hyrje të zonave urbane nuk kemi pas këmbim të raporteve dhe dhënieve të urdhrave përveç rasteve kur kemi pas nevojë për shërbime nga ta”, tha ai, duke u përgjigjur në pyetjen se a i ka raportuar BIA zonës operative të Llapit.
Tutje, ai tha se ka mundur të kenë raporte me dikë të stafit të komandës dhe kur BIA ka ofruar shërbime për nevoja shëndetësore, të personelit, logjistikës dhe çështje tjera, nuk ka qenë e nevojshme në aspektin e komunikimit drejt me të apo dikë prej komandës të caktuar, përveç asaj të shërbimeve specifike që ka kryer BIA për nevoja të zonës operative të Llapit.
Ai konfirmoi se ka thënë se ka kontaktuar me një person që mund të ishte nga BIA me emrin Rrahman Dini.
“A ka ardh dikush tjetër nga BIA gjatë kohës së luftës që të raportonte para jush”, ka pyetur prokurori Mihailzcuk.
“Po jo, jo raportu, po ka kryer shërbime të ndryshme në kuadër të nevojave të zonës operative të Llapit, mos t’i përmendi ato që i thash më parë”, u përgjigj Ibishi.
Ai tha se BIA nuk ka pasur të marr urdhra dhe ka kryer shërbime në bazë të nevojave që ka pasur zona, që ku është treguar nevoja, janë bërë kërkesa të komandanti i këtij njësiti dhe i njëjti i ka shërbyer.
Dëshmitari mohon se i ka lëshuar ndonjë urdhër Salih Mustafës. Ndërkaq, i pyetur si e dinte që Mustafa ishte komandant i BIA-së, ai tha se Cali është veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, ku ka qenë edhe i burgosur politik dhe i angazhuar në njësitin BIA, ku edhe pse se ka njohur personalisht, ka pasur njohuri lidhur me veprimtarinë dhe aktivitetet e tij.
Sipas tij, ai gjatë luftës e ka takuar Salih Mustafën, por nuk e ka njohur.
“Duke pas parasysh që se kam njoft ma herët, atëherë personalisht nuk e kam njoft. Kam mujt nashta me pa dhe me kalu, duke mos e njoft ma herët, duke mos pas njohuri personale me të”, tha ai.
Tutje, ai tha se i ka thënë të vërtetën prokurorisë në deklaratën e tij të dhënë për ta për këtë çështje.
Pas kësaj, u tregua deklarata e Salih Mustafës dhënë për prokurorinë, ku citoi një pjesë të saj kur ishte diskutuar për marrjen e urdhrave.
“Se mbaj mend saktësisht, mund të ju them me kë takohesha për të marr urdhrat.. merrnim urdhrat nga shtabi i nën-zonës, pyetja ishte kush ishte, ju përmendët Rrustem Mustafën, përgjigja: Rrustem Mustafa, Kadri Kastrati, pyetje: Nuredin, përgjigja: Nuredin Ibishi”, citoi prokurori.
Tutje, prokurori vazhdoi me citim tjetër të deklaratës, ku po ashtu diskutohej për marrje të urdhrave, ku sërish ishte përmendur Nuredin Ibishi.
“Nga këto dy pjesë ngjason, duket, se së pari Salih Mustafa merrte urdhra prej Nuredin Ibishit, ju thatë që ju nuk i jepnit urdhra Salih Mustafës. A po thoni se Salih Mustafa ka gënjyer në deklaratën e tij”, pyeti prokurori.
“Nuk them dhe ai është qëndrim i juai dhe interpretim i juaji. Nëse më pyetni as unë nuk mund të jap përgjigje, e jep Salih Mustafa. Thotë e marrim nga sektorët, qendra opertive dhe sektorët, dot a interpretoj zoti Mustafa se sektor janë shërbimet, ai shëndetësor, logjistika, personeli dhe për këtë arsye unë nuk kam qenë udhëheqës i sektorit, por shef i operativës. Ndoshta është gabim në interpretim”, tha tutje Ibishi.
Ndërkaq, prokurori tha se nuk është gabim pasi Mustafa flet për operativën dhe ai thotë se shefi i sektorit e kontaktonte, Nuredin Ibishi. Kurse, Ibishi tha se asnjëherë nuk ka qenë shef sektori.
“Ai nuk thotë pozitën, thotë emrin tuaj këtu”, tha prokurori.
“Nuredin Ibishi nuk ka qenë udhëheqës sektori, ka qenë shef i operativës dhe ka qenë varësisht prej kohës komandant i brigadës apo shef i shtabit, asnjëherë nuk ka qenë shef sektori. Është e vërtetë se Mustafa ka marrë urdhër prej sektorëve, shëndetësisë, logjistikëks, dhe këtë duhet të dallohet”, tha ai tutje.
Ibishi sërish mohoi se i ka dhënë urdhra Mustafës.
Tutje, në një deklaratë në një tjetër çështje gjyqësore, sipas prokurorit i pyetur Mustafa nëse i raportonte drejt komandant Remit, ai kishte mohuar këtë.
“Ndërkaq i pyetur se kujt i raportonte, thuhej se kryesisht raportimet ja përcjellin shefit të shtabit, pyetje: nga cili merrje urdhrat, Salih Mustafa: nga shtabi i zonës, ishte shefi i shtabit, ose me telefon satelit ose radio. Në çështjen Agron Zeqiri, Salih Mustafa thotë se i raportonte shefit të shtabit, juve zoti Ibishi”, tha prokurori.
“Nuk dua të interpretoj deklaratën e tjetërkujt”, tha dëshmitari Ibishi.
Ibishi u pyet nëse thotë se Mustafa gënjen kur thoshte se i raportonte shefit të shtabit.
“Deklaratat secili i interpreton të vetat, edhe njëherë po ju them, mos mu deklaroni mua me deklarata fyese për Salih Mustaf”, tha ai, e më pas u ndërpre nga gjykatësja që i kërkoi të kontrollonte tonin e zërit.
Tutje, dëshmitari Ibishi sërish tha se nuk i ka dhënë urdhra Salih Mustafës dhe se nuk dëshiron të interpretoj deklaratën e tjetërkujt.
Prokurori i ka treguar Ibishit një deklaratë tjetër të një dëshmitari që ka dhënë dëshmi para këtij trupi gjykues, konkretisht Fatmir Humollit, me 2 shkurt 2022.
“Pyetja: cili në zonën operative të Llapit në komandë pra kujt i raportonte BIA në zonën operative të Llapit, përgjigja komandantit të zonës operative të Llapit dhe shefit të zonës operative të Llapit, pyetja cili ishte shefi: përgjigja: Nuredin Ibishi ishte shefi i komandës operative, pyetja cila ishte pozita e tij ekzakte, a mund të na tregosh, përgjigje: po flas për Nuredin Ibishi, pyetje: ishte shefi i operativës, pyetja: Pra ose nga Rrustem Mustafa ose nga Nuredin Ibishi, përgjigja: po”, lexoi prokurori.
Kurse, dëshmitari tha se nuk ka dhënë urdhër e se a ka mundur të jap urdhra është çështje tjetër, por se përgjigja e tij strikte është se nuk ka dhënë urdhra, duke shtuar se nuk i ka dhënë urdhra as Mustafës e as ndonjë anëtari tjetër të njësitit BIA-së.
Ndërkaq, konfirmoi se po të kishte pasur nevojë të jepte urdhra, ai ka mundur të jap, por se çështja është se ai nuk ka dhënë urdhra.
“Pra jo çka ka thënë Fatmir Humolli nuk është e saktë”, ka pyetur prokurori, e dëshmitari tha se duhet të pyetet Humolli për këtë, duke thënë se nuk dëshiron të interpretoj asnjë deklaratë të askujt dhe nuk dëshiron fare të interpretoj këtë dhe se kjo është përgjigja e tij.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitarit se duhet të jap një përgjigje, pasi Humolli kishte thënë se njësiti BIA ishte nën komandën e Salih Mustafës dhe kishte konfirmuar se merrte urdhra ose nga Rrustem Mustafa ose Nuredin Ibishi.
“Më vjen keq dhe dua të them. Thash nuk kam dhënë urdhra dhe shef i operativës kem qenë bashkë me Kadri Kastratin, kemi udhëheq operativën, s’kom qenë veç une. Të kuptohemi, te kemi të qartë. Sa i përket vetes time, unë nuk kam dhënë urdhra dhe kjo është përgjigja ime e nderuar zonja kryetare”, tha dëshmitari.
E gjykatësja pyeti se a po thotë se nuk është e vërtetë a çka ka thënë Humolli, e dëshmitari tha se nuk e mohon se bashkë me Kastratin kanë udhëheq me operativën, por se ai personalisht nuk i ka dhënë urdhra BIA-së.
“Së bashku me Kadri Kastratin kemi udhëheq operativën dhe nëse më pyetni a kam dhënë urdhra ndaj BIA-së, nuk kam dhënë, nuk mund të interpretoj deklaratën e dikujt tjetër. Se nesër Fatmir Humolli a Cali më thotë kam mendu ndryshe, pse thu nuk është e saktë, është rren apo diçka. Për këtë arsye ju kërkoj të më kurseni nga kjo qasje”, tha dëshmitari.
“Nuk po ju kursej asgjë për këtë sepse jeni i detyruar t’i përgjigjeni pyetjes që është ngritur. Dua të dëgjoj nga ju nëse është e saktë apo jo që BIA merrte urdhra nga Nuredin Ibishi sikurse ka thënë Fatmir Humolli. Dua të dëgjoj prej jush nëse mendoni se deklarata e tij është e saktë apo jo”, pyeti gjykatësja, e përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua për publikun.
“Ju po thoni që ajo që ka thënë Humolli kësaj gjykate është jo e vërtetë, pajtoheni me këtë ”, pyeti sërish gjykatësja.
E këtë e konfirmoi dëshmitari, e më pas gjykatësja tha se iu desh shumë kohë të merrte këtë përgjigje nga ai dhe nuk ishte e nevojshme gjithë kjo.
Lidhur me pjesëtarët e BIA-së, ai tha se gjatë misionit që kanë pasur nuk kanë bartur uniforma, përveç në rastin kur është urdhëruar mobilizimi i përgjithshëm nga data 27 prill 1999 nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, ku tha se për këtë nuk është i sigurt.
“Ata kanë qenë civil, kanë vepru civil, çfarë logjike ka të jenë në zona urbane, ku janë policia ose forcat e armatosura të Serbisë, kanë qenë civil. Ndërsa, pas të 27, ajo gjendje ndoshta ka ndryshu për shkak se është dhënë mobilizim i tërësishëm i të gjitha strukturave në forca mbrojtëse për shkak të situatës së krijuar”, tha ai.
Në vijim, dëshmitarit Ibishi iu treguan dy fotografi, ku u pyet se a njeh ndonjë nga personat e përfshirë në fotografi.
“Po e njoh Calin, edhe s’po di, s’po jam i sigurt për këtë tjetrin”, tha dëshmitari Ibishi.
“Tërë personat në fotografi përfshirë Salih Mustafën, shefin e BIA-së kanë të veshur uniforma”, pyeti prokurori, e dëshmitari e konfirmoi këtë, si dhe faktin se kanë emblemën e UÇK-së në kapele dhe uniformë.
Sikurse, prokurori tha se janë të armatosur që të tre në këtë fotografi.
“Të duken si civil këto në sytë e tu”, pyeti prokurori, e Ibishi e mohoi këtë.
Tutje, iu tregua edhe një fotografi tjetër, ku për këtë fotografi, ai tha se në të e njeh Salih Mustafën.
“Pra të katër këta persona kanë veshur uniformë dhe kanë emblemën e UÇK-së”, tha prokurori, e dëshmitari tha se është e saktë, por është në pyetje edhe koha dhe nëse kanë dal në fotografi me uniformë nuk do të thotë që kanë bartur uniformë, kanë mundur ta veshin për të dal në fotografi.
Edhe për këtë fotografi, ai konfirmoi se janë të armatosur. Dëshmitari sërish tha se ai nuk po e di kohën, të cilës po i referohen këto dy fotografi.
Nuredin Ibishi thotë se njësiti BIA nuk kishte të drejtë të arrestojë apo ndalojë dikë
(Përditësuar, ora 13:14)- Dëshmitari Nuredin Ibishi, i njohur si komandant Leka, në gjykimin e së martës, në rastin e Salih Mustafës, tha se me aq sa ka njohuri, njësiti BIA ka qenë strukturë civile e paarmatosur, ka pasur detyra mbështetesë për UÇK-në dhe sipas tij ky njësit nuk ka pasur të drejtë të arrestojë dhe ndalojë individë.
Lidhur me lëndimin e tij më 10 prill 1999, ai deklaroi se ndodhi pasi kanë bërë fortifikimin e pozicioneve me qëllim të mbrojtjes së refugjatëve që kanë ikur nga Podujeva dhe Lugina e Llapit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjatë shkëmbimit të zjarrit, ata ishin normal me armatim të rëndë me autoblinda, edhe nga vet luftimi, pra u plagosëm rëndë unë dhe Kapllan Parduzi, mirëpo arritëm t’i thejmë forcat serbe dhe mos t’i lejojmë të futen te refugjatët, ku prisnim se do të kryenin masakra”, tha dëshmitari.
Sipas tij, tretmanin mjekësor ua ofruan aty për aty, pasi u deshën të qëndrojnë derisa i mundën forcat serbe në atë pozitë dhe iu dha ndihma e parë nga një absolvent i mjekësisë dhe më vonë për shkak të keqësimit të gjendjes u desh të përgatiten për transport për spitalin ushtarak në zonën e përëndimit, në Potok.
Ai tha se rasti i plagosjes ka ndodhur më 10 prill 1999, gjatë ditës, ndërsa transporti ka filluar diku në orë të mbrëmjes të së njëjtës ditë, kurse ka mbaruar brenda 48 orëve, brenda dy ditëve.
“Nisja është në Turiçicë, pastaj fshati Rakinicë, Bllatë, Kalaticë, Brainë, Orllan, Ballaban, Koliq, Halabak, në Halabak kemi pas qëndrime rrugës disa ndalesa, mirëpo një qëndrim më i gjatë ka ndodh në Halabak që është afër Bellopojës aty. Mandej, nga aty kemi shku në fshatin Rimanishtë, aty ka qenë një pushim, nga aty kemi ndërru transportin, kemi kalu magjistralen me masa të sigurisë”, tha ai, tutje shpjegoi fshatrat tjera që kanë kaluar për të arritur në Potok.
Nga Turiçica deri në Rimanishtë, ai tha se nuk i kujtohet saktë sa ka zgjatur rruga, por se ndaluan në Kalaticë, ku i furnizuan me ushqime dhe pastaj ishte përcjellja nga eskorta deri në pjesën tjetër.
Lidhur me masat e sigurisë për transportin e tyre, ai tha se ishin në kuptim të sigurisë së transportit, por edhe kontakteve të mashutës që duhet të kalonte dhe për këtë arsye kujdesej një prej eprorëve që ishte me ta.
Kurse, i pyetur se kush i shoqëronte atë dhe Parduzin, tha se jashtë nuk ka pasur mundësi të shoh kush ka qenë, por brenda ka qenë personeli mjekësor, një absolvent i mjekësisë Enver Hoxha, ka qenë një teknike, si dhe Latif Gashi që ka ndërmarrë masa të sigurisë.
“Normal në pjesën jashtë nuk kam mund ta shoh për shkak se rimorkio ka qenë e mbuluar me tendë për shkak të kushteve atmosferike sepse nonstop binte shi”, tha Ibishi.
Ndërkaq, shtoi se e di që ka pas edhe jashtë persona të tjerë, pasi dëgjonin zëra duke iu drejtuar “a jeni mirë, si jeni” përveç personelit mjekësor që ishte prezent dhe kujdesej për shëndetin e tyre.
Kur kanë arritur në Potok tha se i kanë vendosur në spitalin ushtarak.
“Forcat serbe kishin qenë pranë dhe si e hetun automjetin filluan të shtijnë me armë, atëherë ne na shkarkuan nga transporti edhe mandej erdhën me leqe dhe na dërguan deri në spitalin ushtarak në Potok”, tha tutje Ibishi.
Më pas, ai konfirmoi se në të njëjtën kohë në spital ka qenë edhe Kapllan Parduzi, ku të njëjtën kohë janë operuar dhe trajtuar.
Ndërkaq, dëshmitari tha se ai ka qenë i pari që ka dalë nga spitali, ku ka pasur nevojë edhe për trajtim tjetër mjekësor.
“Po kam vazhdu ta marr, por gjendja ka qenë shumë e rëndë e Kapllan Parduzit. Pasi në këtë kohë mbyllet mundësia për ndërhyrje kirurgjikale dhe filloi t’i bëhej dekompozimi i varrës, filloi të kundërboj dhe ishte momenti i fundit për të ndërmarrë diçka, po flas pas datës 30 prill”, tha ai.
Sipas tij, trajtimi i dytë ka ndodhur në pjesën e dytë të majit në Maqedoni, ku pasi u ka dështuar tentativa e parë e shkuarjes, përkundër se ishte vet i sëmurë është dashur të organizojë të gjithë atë pasi kishin dy të plagosur dhe një të sëmurë rëndë.
Kurse, konfirmoi se edhe ai vet personalisht ka marrë trajtim mjekësor në Maqedoni në të njëjtën kohë me tre të tjerët, i cili ka zgjatur pak ditë, ku ai është dashur të kthehet në Kosovë. Ndërkaq, të tjerët kanë vazhduar me trajtim aty.
Mbrojtja ka përfunduar me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, kurse pas pauzës së drekës, pritet që pyetje t’i parashtrohen nga prokuroria.
Komandant Leka rrëfen për formimin e brigadave në zonën operative të Llapit, policinë ushtarake dhe mbrojtjen civile
(Përditësuar, ora 12:20)-Dëshmitari Nuredin Ibishi, i njohur si Komandant Leka, në gjykimin e së martës, në rastin e Salih Mustafës, ka rrëfyer për formimin e brigadave në zonën operative të Llapit, policinë ushtarake, mbrojtjen civile etjerë.
Ai është dëshmitari i nëntë i mbrojtjes së Salih Mustafës.
Fillimisht, dëshmitari Nuredin Ibishi ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë ishte nën një okupim të egër të regjimit serb dhe pas masakrave në Prekaz, Qirez dhe Likoshan ka filluar një edhe mobilizim i qytetarëve, përveç atij të UÇK-së.
Tutje, ai deklaroi se zona operative e Llapit ka përfshirë kryeqytetin Prishtinën, Podujevën, Fushë Kosovën dhe Obiliqin.
Ai tha se është kyçur në UÇK në fund të qershorit 1998, konkretisht 28 qershor 1998.
“Kjo ishte fillimi i formimit të UÇK-së në zonën operative të Llapit dhe ende ishin faza fillestare e ardhjes së vullnetarëve të ri në fshatin Zabërgjë dhe ende nuk kishte strukturim të njësive, por ishte më shumë qendër ku mblidheshin në fshatin Zabërgjë dhe aty fillun aktivitetin e parë të rekrutimit, trajnimit dhe ngritjes së aktivitetit por ende nuk ka pasur strukturim të njësive ushtarake”, tha ai.
Dëshmitari Ibishi deklaroi se ishte një edukator për pjesëtarët apo vullnetarët e UÇK-së, ku ishte trajner i ushtarëve të rinjë në këtë zonë.
Dy brigadat e para në zonën operative të Llapit, ai bëri të ditur se janë krijuar në mes të gushtit të vitit 1998.
“Edhe përfaqësuesit e lartë të shtabit të përgjithshëm të UÇK bënë emërimin e zëvendës komandantit të nën-zonës, Kadir Kastratit, pastaj brigadës 151 unë Nuredin Ibishi dhe 152 Idriz Shabani, Luta Komandant. Pra ishin këto dy brigadat e para që u formuan”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, në ndërkohë ishin transferuar në fshatin Bajgorë, në një shkollë fillore që ishte boshatisur dhe aty ishte selia e brigadës 151, që ishte në ngritje të kapaciteteve, në formim e sipër.
“Trajnimi themelor i ushtarëve zgjatke saktësisht tre javë, niveli themelore për ushtarë pasi që duhet kuptuar se të rinjtë tonë që ishin pjesa dërrmuese e pjesëtarëve të UÇK-së asnjëherë nuk kish pasur kontakt me armë mu për shkak të regjimit serb që nuk i kishte dhënë të drejtë të kryejnë ushtri apo të kenë njohuri ushtarake. Detyra e neve instruktorëve ushtarak dhe policor ishte që t’i aftësojmë ata për njohuritë elementare, duke filluar nga njohuritë e përgjithshme, disiplinën dhe rregullat ndërkombëtare të luftës, si dhe aspektet e të drejtave të njeriut, lëvizjen e ushtarëve në luftë, përdorimi i armës etj.”, bëri të ditur ai.
Ibishi ka thënë se derisa Brigada 152 ka arritur një nivel të funksionalitetit dhe pozicionimit në teren, Brigada 151 ishte ende në fazën e ngritjes së kapaciteteve dhe se për këtë i referohet periudhës kohore të gushtit 1998.
Kurse, zona operative e Llapit tha se është krijuar në fillim të qershor 1998, e pastaj tha se është krijuar më herët në vitin 1995 me vet krijimin e UCK-së në 1994, ku ka qenë në fazën e gueriles atëherë, por në aspektin ushtarak ka qenë në qershor të 1998 me daljen me uniformë dhe kazerma të improvizuara në Zabërgjë.
“Brigada 153 është formuar në shkurt të vitit 1999”, tha tutje ai.
Këto tre brigada, ai tha se kanë vepruar në pjesën rurale dhe koncepti dhe doktrina e veprimit të UCK-së nuk ka qenë të veproj në luftë urbane, por në pjesë rurale.
“Nëse marrim zonën prej Prishtine e në Podujevë ku kemi qenë më tepër të përqëndruar, aksi rrugor që shkon për Mërdare, kemi dal në zonën e lindjes që bjen Gollaku që ka qenë edhe zona e perëndimit ku kemi vepru me dy brigada, në zonën e lindjes ka vepruar Brigad 153 që është formuar më vonë, ndërsa në atë perëndimore kanë vepruar brigadat 151 dhe 152”, tha Ibishi.
Tutje, tha se kanë pasur edhe njësinë BIA si guerrilë që ka qenë më shumë e angazhuar në pjesën urbane të qytetit.
“Sa unë kam dëgju dhe kam mësu është edhe monografia për zonë oeprative të Llapit, ka qenë një marrëveshje më e hershme, mos gabofsha në shtator 1997, kur guerrila BIA i është dhënë detyra të veproj në zonat urbane por në aspektin të furnizimit, apo përgatitjes së UCK-së në zonën e Llapit për çështje të shëndetësisë, logjistikës, pranimit të refugjatëve dhe akomodimit të tyre prej zonave të prekura nga lufta dhe çështje tjera rreth informacioneve për pozicionimin e forcave të armikut etj.”, tha dëshmitari.
Sipas tij, kanë pasur edhe mbrojtjen civile që ka vepruar në zonën e Llapit.
“Edhe BIA, edhe mbrojtja civile kanë qenë në kuadër të zonës operative të Llapit. Pra, BIA ka qenë strukturë civile e paarmatosur dhe ka pas detyrën e mbështetjes të UCK-së. kanë pas detyrë t’i orientojnë, njëkohësisht për shërbime shëndetësore, logjistike, ka qenë më shumë si shërbim suportues për nevoja të brigadave, por edhe vet zonës operative të Llapit”, tha ai.
Tutje, tha se mbrojtja civile është formuar në baza territoriale.
“Nëpër fshatra, bashkësi lokale dhe janë formu njësitë që kanë qenë më tepër në baza territoriale, janë mobilizu kur është dasht me i mbështet forcat aktive të zonës operative të Llapit që kanë qenë të strukturume në brigada”, deklaroi ai.
Deri në mes të dhjetorit të vitit 1998, tha se ka ushtruar detyrën edhe të Brigadës 151, por njëkohësisht edhe si shef i operativës më zëvendëskomandantin Kadri Kastrati, ndërkaq tha se diku ka dhjetori është emëruar në postin e shefit të shtabit të zonës operative të Llapit.
Në kuadër të brigadave, ai tha se është krijuar formalisht edhe policia ushtarake.
“Formalisht çdo brigadë ka pas edhe policinë ushtarake, domethënë në nivel të togut të policisë ushtarake që ka pas detyrë të mbajtjes së rendit dhe rregullit ushtarak në brigadë dhe në zonë”, tha ai.
Ai tha se nga shtabi i përgjithshëm kanë marrë disa nga rregullat, kurse për ato që nuk i kanë pasur, janë munduar t’i plotësojnë vet eprorët që kanë pasur njohuri, me qëllim që të mos krijohet boshllëk në aspektin e rendit.
Kurse, në rast të mosrespektimit të rregullave, ai tha se policia ushtarake ka pas të drejtë të ndaloj ushtarët.
I pyetur se a ka pas ndonjë rast kur policia ushtarake ka ndaluar ushtarët në brigadën ku ka qenë komandant, ai tha se ka pas ndonjë rast dhe se nuk di të specifikoj ndonjë rast meqenëse ka qenë kompetencë e tyre.
Ndërkaq, konfirmoi se në rast të ndalimit të ndonjë ushtari nga policia ushtarake, ai tha se sigurisht se i raportonte dikujt dhe nëse është thyer rendi dhe rregulli ushtarak ndërmerreshin masa dhe raportohej në kuadër të zingjirit komandues.
“Policia ushtarake ka pas kompetencë sikurse policia e rregullt, të mund të bëj ndalimin e personit në kohën e caktuar, brenda kohës të paraparë në rregullore. S’ka qenë detyrimisht që unë të njoftohem permanent lidhur me zbatimin e rregullores disiplinore, nëse dikush prej ushtarëve ka bërë shkelje, ndoshta ka bërë në raportin e përgjithsum, por su kon rrethana që menjëherë të lajmëroj komandantin e brigadës për një shkelje që mund të jetë minore”, tha dëshmitari Ibishi.
Ai ka deklaruar se policia ushtarake ka pasur autorizimet e veta dhe ka mundur të bëj ndalimin policor, por nëse ka pas shkelje më të mëdha kanë qenë edhe komisionet disiplinore.
Sipas tij, komisionet janë formuar konform rregullores disiplinore që ka qenë në kuadër të UÇK-së.
Tutje, ka folur për mbrojtjen civile, ndërkaq i pyetur se a ka qenë e njëjta procedurë si me ushtarët e si me civilët sa u përket ndalimit të tyre, ai tha se pothuajse e njëjta ka qenë, edhe pse prioritet i policisë ushtarake ka qenë mbajtja e rendit të strukturës ushtarake edhe të UCK-së, por edhe të mbrojtjes civile.
“Zakonisht keqbërësit janë identifiku prej mbrojtjes civile, ata kanë ndërmarrë veprimet e para. Ndërsa, policia ushtarake është marrë me procesimin e tyre pra”, tha tutje ky dëshmitar.
Ai tha se vet ka qenë në një rast, kur ka qenë fazë trajnimi me rekrutët e ri, kur një person civil ka nxjerrë armën dhe e ka drejtuar në pozicionet e UCK-së në Potok dhe ai është arrestuar, ç’armatosur dhe atë e kanë mbajtur për shkak se ka kërcënuar direkt pjesëtarët.
“Ka qenë fati i tij që kanë qenë këta të përmbajtur dhe nuk kanë vepru, e kanë arrestu, e kemi mbajt disa ditë dhe pastaj është lëshuar”, tha dëshmitari Ibishi, kurse tha se për lirimin e tij kanë vendosur niveli më i lartë, niveli i shtabit, komanda e zonës, ku personi është liruar.
Ai konfirmoi se ka qenë një qendër ndaluese në Llapashticë.
“I vetmi autoritet në kuadër të brigadës ka qenë policia ushtarake që ka mundur të vendos për lirim dhe ndalim”, pyeti avokati Betim Shala, e dëshmitari u përgjigj duke pohuar këtë.
Ndërkaq, i pyetur se a ka pasur kontakte me pjesëtarë të njësitit BIA, dëshmitari Ibishi tha se ka pasur një rast në zonë, ku ka qenë Rrahman Dini.
“Tash s’po më kujtohet, dy apo tri raste. Ka ardh në zonë, një rast ka ardh për aspekte të veta shëndetësore pasi ka qenë i sëmurë dhe është dasht mbështetja për dërgim jashtë dhe në rastin tjetër nëse nuk gaboj ka sjell ose shërbime shëndetësore, mjek apo personelin e mjekëve ose medikamente apo rekrut të rinjë në zonë. Atë e mbaj mend, nëse ka qenë edhe ai në BIA, por mendoj po ashtu është”, tha Ibishi.
“Nga janari 1999 e deri në prill të vitit 1999, a keni qenë tërë kohën në shtabin e zonës operative të Llapit”, ka pyetur avokati Shala.
Kurse, dëshmitari tha komanda ka qenë në Llapashticë, ndërsa pjesa operative e shtabit ka qenë në Katunishtë, ku ka qenë ai dhe zëvendëskomandanti Kadri Kastrati, për shkak të vet sistemit të ndërlidhjes, bashkëpunimit mes njësive, në aspektin e shërbimeve.
“Ashtu që ka qenë e ndarë prej komandës së zonës si qendër komandues të them ashtu ky shtab, ky qendër operative. Këtu kemi qenë unë si shef i shtabit dhe zëvendëskomandanti i zonës Kadri Kastrati”, tha ai.
Tutje, tha se logjistika e ka pasur një objekt të veçantë, saniteti e ka pasur në kuadër të spitalit ushtarak dhe kanë shkuar vetëm për nevoja të caktuara në komandë.
Kurse, i pyetur se a ka njohur të gjithë ushtarët që kanë qenë të caktuar si udhëheqës të sektorëve, ai e konfirmoi këtë. Ndërkaq, po ashtu konfirmoi se e ka njohur Valon Muratin, që tha se ka qenë për informim një kohë, në ’98 nëse nuk gabon.
Dëshmitari deklaroi se komandant i BIA-së ka qenë Salih Mustafa. Ai konfirmoi se ka qenë në maj të vitit 1999 në Zllash, ndërkaq para kësaj tha se nuk ka shkuar.
Mirëpo, konfirmoi se ka pasur kontakte me Brigadën 153, ndër ta me zëvendëskomandantin dhe tha se në maj kur janë bërë përgatitjet duke kaluar në Zllash, tha se ka takuar Adem Shehun dhe prapë zëvendëskomandantin Sejdi Veselin.
“Gjatë periudhës kohore prej muajit shkurt deri në prill të vitit 1999, a keni qenë në komandën e zonës operative të Llapit”, pyeti avokati Shala, ndërkaq Ibishi e konfirmoi këtë.
Kurse, i pyetur se a ka parë nëse kanë sjell ndonjë person të ndaluar për ta vendosur në qendrën e ndalimit në Llapashticë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.
Ndërkaq, tha se nuk ka parë ndonjë urdhër të Brigadës 153 për ndalimin e ndonjë personi në Llapashticë, si dhe tha se nuk ka dëgjuar për ndonjë urdhër të tillë.
Tutje, konfirmoi se është lënduar me 10 prill të vitit 1999.