Ish-shefi i shtabit të Zonës Operative të Llapit, Nuredin Ibishi, ka folur lidhur me të ftuarit e parë për intervistim nga Gjykata Speciale që janë pikërisht nga kjo Zonë Operative – Rrustem Mustafa, i njohur si Komandant Remi, dhe Nazif Mehmeti, i njohur si Komandant Dini.
“Te Zona e Llapit janë mësuar çdo herë – nuk e di as vet pse. Ndoshta nuk kemi qenë në politikë që t’i dërgojmë të tjerët përpara”.
“Të parët kemi qenë edhe në vitin 2002, si rast i parë për gjykim për krime të luftës, edhe tash fillon me Zonën e Llapit”.
Ibishi në Info Magazine të Klan Kosovës ka komentuar faktin se për “Grupin e Llapit” ka edhe një verdikt gjyqësor.
“Edhe në dispozitat e Ligjit pёr Dhomat e Specializuara thuhet që për një vepër nuk mund të dënohen dy herë”.
“Në këtë rast nuk mund as ta kemi një supozim, sepse edhe cilësimi i tyre nuk dihet saktësisht. Dihet se janë ftuar për intervistë, por në çfarë cilësie janë ftuar: në cilësinë e të akuzuarit apo të dëshmitarit?”.
Ibishi ka thënë se të gjithë ushtarët në Zonën e Llapit i kanë respektuar Konventat Ndërkombëtare për luftë.
“Kam qenë njëri prej hartuesve të programeve për ushtarët e rinj, sepse kemi filluar me ushtarë që paraprakisht nuk kanë pasë asnjë njohuri ushtarake, apo kontakt me armë. Tema e parë ka qenë “E Drejta e Luftës” – katër Konventat e Gjenevës dhe dy Protokollet e Shtetit të vitit 1972”.
“Secili prej ushtarëve i ka ditur, sepse kemi mund të vijmë deri te shkelja e të Drejtës së Luftës”.
“Po flas me kompetencë që të drejtat janë respektuar në Zonën e Llapit. Për këtë arsye është shqetësimi im, sepse edhe në të kaluarën ka ndodhur një gjykim”.
Ish-shefi i shtabit të Zonës Operative të Llapit ka thënë se në zonën që ai ka operuar nuk ka pasur krime lufte, si vrasje të civilëve, maltretime, burgje të paligjshme dhe të ngjashme.
Ai ka treguar se ka pasur vetëm mbajtje disaditore të personave që kanë bërë shkelje, që ka qenë nën kompetencën e Policisë Ushtarake.
“Nuk ka pasur krime lufte. Ka pasur vetëm mbajtje. Policia Ushtarake ka pasur kompetencë t’i mbajë personat që bëjnë shkelje të caktuar – janë mbajtur disa ditë dhe më pas ata janë lëshuar”.
“Ka pasur edhe raste të tjera kur kam pasë në mbajtje edhe ushtarin tim që ka bërë një gabim, që ka mundur të ketë pasoja për ushtarët”.
“Ne nuk kemi pasur as Prokurori, as Gjykata Ushtarake, përpos Policisë Ushtarake”.
“Në Zonën Operative të Llapit janë respektuar të Drejtat e Njeriut, katër Konventat e Gjenevës dhe dy Protokollet e Shtetit”.
“Me plot përgjegjësi po them se personat që janë mbajtur dhe janë lëshuar pas disa ditësh janë trajtuar dhe u janë përshtatur kushteve të mbajtjes edhe të ushtarëve, edhe të popullatës”.