Ibrahimi: As mediet nuk po e respektojnë Ligjin e Punës

Prishtinë | 16 Dhj 2016 | 12:05 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mediet në Kosovë duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe gjendjes së respektimit të të drejtave të punëtorëve. Madje mediet së pari duhet t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve të tyre dhe më pas të ngrisin reflektimin dhe pasqyrimin e gjendjes së të drejtave të punëtorëve në vend.

Kështu, shprehet kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, gjatë një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online.

“Në radhë të parë, pasi që ne kemi bërë një inspektim të thuktë nëpër të gjitha mediet në Kosovë, ata të  nisen nga vet mediumi që të respektojë të drejtat e punëtorëve të vet dhe pastaj të ngrisin atë masën e reflektimit dhe pasqyrimit të gjendjes së të drejtave të punëtorëve. Nuk jemi ende të kënaqur me gjendjen e të drejtave të punëtorëve, posaçërisht në sektorin privat”, thotë ai.

Ndërkaq shoqëria civile, sipas tij, është ende e brishtë në këtë drejtim, por të cilët mund të japin një kontribut më të madh se sa që janë duke e bërë.

Ibrahimi kritikon Sindikatat dhe Odat Ekonomike në Kosovë, të cilat, sipas tij, nuk po bëjnë aq shumë që t’i vetëdijesohen punëdhënësit për t’i respektuar të drejtat e punëtorëve.

“Në mungesë të mekanizmave tjerë, si organizimi sindikal në sektorin privat, pastaj  jo angazhimi i duhur edhe i organizatave të punëdhënëseve, qoftë e asaj të Odës Ekonomike të Kosovës, ose edhe e të gjitha odave të tjera, që ata nuk punojnë mjaftueshëm me anëtarët e vet për t’i vetëdijesuar për respektimin e të drejtave të punëtorëve”, deklaroi kryeinspektori.

Ai ka treguar se Inspektorati i Punës, gjatë tetë muajve ka arritur t’i evidentojë rreth 1 100 punëtorë pa kontrata të cilat i ka detyruar punëdhënësit që t’i legalizojë. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe kanë lëshuar vetëm 94 gjoba për mos respektim të Ligjit të Punës nga ana e punëdhënësit.

Ibrahimi flet edhe për numrin e vogël të inspektorëve të cilët janë të pa mjaftueshëm që të mund të arrijnë t’i inspektojnë bizneset brenda viti.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Z. Ibrahimi cila është pozita e punëtorëve në ndërmarrjet publike dhe ato private dhe sa po mbrohen të drejtat e tyre në vendet e punës?

Ibrahimi: Është shumë problem me përkufizuar me një fjali me thënë që është mirë, ose keq, se nuk është as mirë e nuk është as keq. por unë mundem  me thënë që avancim në respektimin e të drejtave të punëtorëve në krahasim me vitet paraprake është shumë evident. Te kompanitë publike, gjithsesi që gjendja është shumë më e mirë dhe më e avancuar. Ndërsa, tek kompanitë private lë ende për të dëshiruar, sepse ende ka shkelje të të drejtave të punëtorëve, edhe pse ne me kapacitetet tona po mundohemi me bërë më të mirën të mundshme. Por, vetëm Inspektorati i Punës është e pamundshme të arrijë rezultate që ne të gjithë i dëshirojmë. Në mungesë të mekanizmave tjerë, si organizimi sindikal në sektorin privat, pastaj jo angazhim i duhur edhe i organizatave të punëdhënëseve, qoftë e asaj të Odës Ekonomike të Kosovës, ose edhe e të gjitha odave të tjera, që ata nuk punojnë mjaftueshëm me anëtarët e vet që ata me u vetëdijesua për respektimin e të drejtave të punëtorëve. Natyrisht shoqëria civile është ende e brishtë në këtë drejtim, besoj se ata munden me dhënë një kontribut më të madh se sa që janë duke e dhënë, por gjithsesi edhe mediet që t’ kushtojnë një rëndësi më të madhe gjendjes së respektimit të të drejtave të punëtorëve. Në radhë të parë, pasi që ne kemi bërë një inspektim të thuktë nëpër të gjitha media në Kosovë, që të nisen nga vet mediumi që të respektojë të drejtat e punëtorëve të vet dhe pastaj të ngris atë masën e reflektimit dhe pasqyrimit të gjendjes së të drejtave të punëtorëve… Nuk jemi ende të kënaqur me gjendjen e të drejtave të punëtorëve, posaçërisht në sektorin privat e në veçanti në dy-tri fusha, siç është ndërtimtaria hoteleria, sigurimet fizike dhe shërbimet e tjera të pastrimit.

EO: Sa po zbatohet Ligji i Punës nga punëdhënësit? Sa është numri i gjobave të aplikuara ndaj punëdhënësve për mosrespektim të drejtave të punëtorëve?

Ibrahimi: Nëse gjen ende punëtorë pa kontrata, kjo nuk donë koment. Gjendja nuk është në nivelin e përmirësueshëm. Në vitin e kaluar ne i kemi pasur gati 1 900 punëtorë pa kontrata punë, kurse këtë vit 1 100 punëtorë. Në qoftë se e shohim nga aspekti reali 1 100 punëtorë në Kosovë me qenë pa kontratë pune, është shumë, por nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, krahasimi është i dukshëm. Vitin e kaluar, ne kemi shqiptuar gjoba më shumë se sa këtë vit… Numri i gjobave këtë vit, është më i vogël edhe numri i punëtorëve pa kontrata është më i vogël. Vitin e kaluar i kemi shqiptuar 194 gjoba, kurse në 8 mujorin i kemi shqiptuar vetëm 94 gjoba.

EO: A mund të na tregoni se gjatë këtij viti sa është numri i personave të cilët kanë humbur jetën në vendin e punës dhe sa kanë marrë lëndime?

Ibrahimi: Fatkeqësisht, në këtë fushë jemi krejtësisht të pa kënaqur edhe pse prapë nëse bëjmë krahasimin me vitet paraprake, nuk jemi më keq, jemi më mirë. Por, nëse ka një të vdekur edhe një të lënduar në vendin e punës ne jemi të pa kënaqur. Vitin e kaluar ne kemi pasur 8-9 të vdekur në vendin e punës, kurse këtë vit i kemi 7 të vdekur, por për ne kjo është tepër shumë. Ne po bëjmë çmos që t’i ulim aksidentet në vendin e punës. Në bazë të analizave tona që i kemi bërë ne çdo vit së paku tre muaj i kemi inspektime intensive vetëm në ndërtimtari. Por, fatkeqësisht ende gjendja nuk është e tillë që ne të krenohemi me një rezultat që kemi arritur. Edhe pse, në qoftë se në vitin 2014 i kemi pasur 17 të vdekur në vendin e punës, natyrisht që është arritje, por a jemi të kënaqur, gjithsesi nuk jemi të kënaqur. Ne po mundohemi që të arrijmë me 0 vdekje në vendin e punës…

EO: Vazhdojnë problemet në mes punëdhënësve dhe punëmarrësve që ende punëtorët vazhdojnë të punojnë pa kontrata pune? A i keni evidentuar sa raste janë dhe cili është angazhimi juaj që të vendosni rend në këtë aspekt?

Ibrahimi: Punëtorët pse janë pa kontrata pune, është krejt për neglizhencë të punëdhënësve. Edhe pse janë të vetëdijshëm që në qoftë se nuk e pajisin punëtorin me kontratë punë, nuk është se përfiton ndonjë gjë. Ai në fakt, në qoftë se është pak i vetëdijshëm dhe e analizon pak këtë çështje e kupton që dëm shumë më të madh një punëtorë pa kontratë pune se sa 100 punëtorë në qoftë se i ka pa kontrata pune me i pajisë me kontrata pune… Gjobat eventuale që mundet me i pësuar punëdhënësi, sepse vetëm për një shkelje të tillë nga marrëdhënia e punës punëdhënësit mund t’i shqiptohet gjobë deri në 10 mijë euro…

EO: Ka raste të shumta kur punëdhënësit në sektorin privat i mbajnë punëtorët me kontrata të përkohshme 2-3 mujore, a është edhe kjo shkelje e drejtës së punëtorit?

Ibrahimi: Shkelje ligjore nuk është. Sepse Ligji i Punës lejon dhe nuk ka përkufizuar një afat kohor se sa është i obliguar punëdhënësi të lidhë kontratën me punëtorin. Ai mund të lidhë kontrata njëmuajshe, dymuajshe, sa dëshiron. Vetëm kur t’i bën 10 vjet përvojë punë ai është i obliguar që t’i bëjë kontratë me afat të pa caktuar. A është presion ndaj punëtorit, ne mendojmë që po. E pse në këtë mënyrë punëdhënësi e mban punëtorin nën presion për largim nga puna, sepse kur e ka një kontratë tre mujore, ai muaj shkon shumë shpejtë dhe ai nuk e merr guximin me u ankuar nëpër institucione të tjera qoftë dhe në Inspektorat të Punës për mos respektimin e të drejtave të tjera të cilat duhet nga Ligji i Punës. Ne e konsiderojmë që kjo është një presion ndaj punëtorit, por njëkohësisht edhe punëdhënësi bën gabim kardinal, sepse, punëtorin nuk e specializon për punën e vet, por, njëkohësisht punëtorin e bënë të paqëndrueshëm në punën e vet dhe ai gjithmonë ka me menduar a po i vazhdohet kontrata a jo dhe puna e tij nuk është produktive. Prandaj është edhe presion dhe dëm për punëdhënësin.

EO: Sa është numri i inspektorëve që e kryejnë punën në terren, a është i mjaftueshëm?

Ibrahimi: Ne e kemi konstatuar këtë se numri i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm. Edhe në raportet e brendshme, por edhe nga raportet ndërkombëtare vlerësohet se Inspektorati i punës vlerësohet se nuk e ka numrin e mjaftueshëm të inspektorëve. Numri i inspektorëve zakonisht sillen rreth 50 dhe është e pamjaftueshme. Në Kosovë, sillen rreth 60 mijë biznese aktive, nuk po flas për ato pasive, sepse sipas agjencive që merren me regjistrimin kompanive aty janë diku 130 mijë, por që pjesa tjetër është pasive. E kemi sektorin publik të gjitha ato kompani publike, lokale dhe ato qendrore, por ajo më shumë që na ngarkon është shëndetësia dhe arsimi. Dhe kur e kemi parasysh që gjithë këtë spektër të subjekteve që ne i kemi në mbikëqyrje, teknikisht është e pamundur që vetëm t’i vizitojmë një herë në vit me numrin e inspektorëve që i kemi.

Të ngjashme