Analisti Ilir Ibrahimi ka thënë se deklarata e presidentit amerikan Joe Biden, i cili paralajmëroi përfundimin e epokës së operacioneve ushtarake për të ribërë vendet e tjera, përbën fillimin e një doktrine të re të një presidenti amerikan.
Ndonëse thotë se rasti i Kosovës nuk është bash i njëjtë me atë të Afganistanit, Ibrahimi sugjeron se Kosova duhet ta marrë mesazhin nga kjo deklaratë e Biden, njofton Klan Kosova.
“Nuk do të ketë angazhime të mëdha ushtarake në ndërtimin e shteteve siç ka qenë rasti i Afganistanit dhe Irakut, mirëpo ka pasë rast edhe në Kosovë. Administrata amerikane bashkë me partnerët e saj, BE-në dhe NATO-n, kanë qenë të angazhuar në ndërtimin e shtetit edhe në Kosovë. Pajtohem që s’duhet bërë krahasimi kaq i drejtpërdrejtë më Afganistanin, por një mesazh duhet ta marrim edhe ne. Nëse thuhet se nuk do të ketë angazhime ushtarake për shtetndërtim atëherë këtë mesazh ne duhet ta marrim shumë seriozisht, jo që të frikësohemi se nesër do të tërhiqen trupat nga Kosova, por duhet të sigurohemi që partneritetin me SHBA-në, për të cilin s’kam dyshim që është cenuar sidomos në pesë vjetët e fundit nga politika kosovare, duhet gjetur mënyrën që ta ndërtojmë”.
“Pala amerikane e kërkon një partneritet te pala kosovare dhe nëse ne nuk arrijmë të krijojmë atë, atëherë pse duhet të presim nga SHBA që me zor ta bëjë Kosovën? Ku është interesi i tyre për ta bërë një shtet që nuk dëshiron që të bëhet vetë?”.
Ibrahimi në Info Magazine tha se Kosova që nga demarkacioni me Malin e Zi e këndej u tregua si një planprishëse dhe jo një partnere serioze.
Ai gjithashtu tha se edhe aktualisht Kosova s’ka ndonjë angazhim serioz në dialog ose në ato që i quan prioritete administrata amerikane.