Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka thënë se aksioni për lirimin e pronave të uzurpuara në regjionin e Prishtinës do të vazhdojë edhe më tutje. Sipas tij, disa lëndë janë në procedurë dhe se presin zbatimin e vendimit të saj
Gjykata Themelore në Prishtinë ka paralajmëruar se aksioni për lirimin e banesave të uzurpuara në lagjen “Dardania”, të Prishtinës, do të vazhdojë edhe më tutje.
Fatin e banorëve të lagjes “Dardania” do ta kenë edhe banorët e banesave të tjera kolektive në Prishtinë, të cilët Ndërmarrja Publike Banesore i konsideron si uzurpatorë. Nga 131 banesa të uzurpuara të identifikuara në këtë lagje deri më tash janë liruar vetëm 12 prej tyre, shkruan gazeta Zeri.
Ndonëse vendimet gjyqësore për lirimin e këtyre pronave të uzurpuara kanë vite që janë të plotfuqishme, ekzekutimi i këtyre lëndëve është prolonguar nga viti në vit, duke bërë kështu që 16 vjet pas luftës të shihen rezultatet e para të ekzekutimit të këtyre vendimeve gjyqësore për largimin e uzurpatorëve nga pronat e uzurpuara.
Aksioni për lirimin e pronave të uzurpuara në regjionin e Prishtinës, sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës, do të vazhdojë. Kryetari i kësaj Gjykate, Hamdi Ibrahimi, ka thënë se disa lëndë janë në procedurë dhe se presin zbatimin e vendimit të saj.