Mesfushori sulmuesi i Juventusit, Dejan Kulusevski, ka shkaktuar polemika të mëdha në Suedi, në të cilat është zhytur edhe ylli i Milanit, Zlatan Ibrahimovic.
Ylli i ri i Juventusit pritej të luante titullar për Suedinë kundër Francës të shtunën në Ligën e Kombeve.
Por ai u la në stol dhe u fut në lojë vetëm në 20 minutat e fundit, në një takim zhgënjyes që Suedia e humbi 1:0 në shtëpi.
“Mendoj se ishte e çuditshme, por duhej ta respektoja vendimin”, tha Kulusevski pas ndeshjes.
“Shpresoja ta ndryshoja ndeshjen pasi u futa në lojë, por sinqerisht u trondita që nuk nisa nga fillimi, sepse u ndjeva shumë mirë në stërvitje. Shpresoj të jem titullar në ndeshjen e radhës, por nuk e di çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.
Trajneri i Suedisë, Janne Andersson, u zemërua në konferencë për media sepse u pyet vazhdimisht për mungesën e Kulusevskit.
“Ta shohim nëse do të luajë më gjatë të martën. Ai ka cilësi të mëdha dhe do ta rritet me kohë”, tha Andersson.
“Tani a mund të flasim për ata që luajtën dhe luajtën mirë? Kjo është temë më interesante besoj…” shtoi ai.
Ylli i Milanit Ibrahimovic reagoi pas ndeshjes përmes Twitterit.
“Kjo është hajgare! Kjo dëshmon edhe më shumë se njerëz të paaftë në pozita të gabuara po e ngufatin futbollin suedez”, shkroi Ibra.