Zlatan Ibrahimoviç nuk do të tërhiqet nga futbolli i luajtur.
Pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e Ligës së Evropës u mendua se suedezi po konsideronte seriozisht mundësinë e mbylljes së karrierës, por është vetë Zlatan që nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale qetëson gjithë tifozët e tij.
Do të luajë në “Old Trafford” apo në një stadium tjetër? Kjo mbetet për t’u parë, por sulmuesi me origjinë boshnjake do të vazhdojë të zbresë në fushë.
“Përpara së gjithash dua t’ju falënderoj për mbështetjen që më keni dhënë. U dëmtova dhe për këtë arsye do të qëndroj disa kohë larg futbollit gjithsesi do ta kaloj edhe këtë pengesë siç kam bërë përherë dhe do të rikthehem më o fortë se më parë”, ka thënë fillimisht Ibrahimovic.
“Kam luajtur edhe me një këmbë prandaj nuk mendoj se do ta kem problem”, përcjell Supersport.
“Një gjë është e sigurt, do të vendos unë kur t’i jap fund me futbollin e luajtur. Për momentin, tërheqja nuk është një alternativë”.
Shumë i qartë gjiganti suedez, pak fjalë dhe një qëndrim i kuptueshëm. Për momentin ai po konsultohet me mjekët për operacionin në kavilje çka do të thotë se sezoni me Manchester United është mbyllur përpara kohe.
Dëmtimi në kavilje rezultoi i rëndë për sulmuesin e Manchester United, një problem shumë i madh për trajnerin Jose Mourinho i cili është në garë për vendin e katërt në Ligën Premier dhe trofeun e Ligës së Evropës.