Sulmuesi argjentinas Mauro Icardi thotë se prej se është bërë pjesë e ekipit nga Franca, PSG, ka filluar të shijojë sërish futbollin. Ai ka thënë se te PSG-ja tash është i fokusuar vetëm në futboll dhe jo në jetën e tij private si më herët. Sipas tij, në Paris gjërat janë krejtësisht ndryshe prej Milanos, ku vazhdimisht kritikohej pothuajse për gjithçka.
Ish-kapiteni i Interit para fillimit të edicionit u huazua për një vit te PSG-ja dhe pas tejkalimit të lëndimit tashmë ka shënuar dy gola për kampionin e Francës, shkruan sot Koha Ditore.
“Në Itali ishte krijuar një rreth i veçantë nga qarqe të caktuara dhe pothuajse gjithmonë nëpër media flisnin vetëm për mua, në mënyrë që të më shqetësonin. Në Paris nuk është sikurse atje. Këtu jam më i qetë dhe po e shijoj futbollin, pasi tërësisht jam i fokusuar në lojën time”, ka pranuar Icardi.
Icardi ishte golashënuesi më i mirë në Serie A në edicionin 2017/18 me 29 gola, por në edicionin e fundit pati telashe me klubin. Atij fillimisht iu mor shiriti i kapitenit për shkak të mosmarrëveshjeve për rinovimin e kontratës, kurse më vonë iu ndaluan stërvitjet me pjesën tjetër të ekipit. Edhe jeta private e 26-vjeçarit ishte në fokus, pasi është i martuar me modelen Wanda Nara. Edhe pse ndarja me Interin ishte e keqe, Icardi insiston se nuk e urren ekipin italian, të cilit iu bashkua në vitin 2013 dhe shënoi 120 gola në 220 ndeshje në të gjitha garat.