Pavarësia e Kosovës është konflikti kryesor, thuhet në raportin e Grupi Ndërkombëtar të Krizave në raportin për dialogun Prishtinë-Beograd : “Duke filluar që nga viti 2006, Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar herë pas here bisedime për normalizimin e marrëdhënieve. Ata kanë rënë dakord në shumë pika, por nuk bien dakord në çështjen më të rëndësishme që i ndan: pavarësinë e Kosovës.”
Pas vitit 2011, ndërmjetësimi i BE, solli arritjen e marrëveshjeve në çështjet teknike, por dështoi në çështjet kryesore të konfliktit politik, vlerëson raporti duke kujtuar se “në vitin 2018, presidentët e të dy vendeve skicuan pikat kryesore për arritjen e një marrëveshje që bazohej në këmbimin e territoreve, e cila u hodh poshtë pasi u kundërshtua si nga brenda vetë vendeve ashtu edhe nga BE”. Duke vazhduar më tej po me histori raporti thotë se, dialogu i kryesuar nga BE rifilloi në korrik 2020, dhe Uashingtoni nisi një përpjekje paralele, por shtysa e re diplomatike ka hasur vështirësi të mëdha. “Ndërkohë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq duket i interesuar për të arritur një marrëveshje, kolegu i tij kosovar po përballet me akuza për krime lufte, duke e lënë qeverinë e Prishtinës në kaos dhe pa ndonjë përkrahës të spikatur për arritjen e marrëveshjes”. Takimi në shtator në Shtëpinë e Bardhë, u pa të ishte një takim me vlerë simbolike, thuhet më tej duke theksuar se: “Një marrëveshje e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse Beogradi dhe Prishtina ndryshojnë qëndrimet e deritanishme”.
Kushtetuta e Serbisë kërkon që çdo lloj marrëveshjeje që do të pranonte pavarësinë e Kosovës të aprovohet me referendum, por udhëheqja politike nuk ka bërë asgjë për të përgatitur votuesit për kompromisin që kërkohet për të arritur marrëveshjen, thotë raporti i cili vazhdon duke shpjeguar se: “Kosovës nuk i duhet një gjë e tillë, por udhëheqësit e Kosovës mund të kërkojnë që marrëveshja të votohet në mënyrë që të legjitimohet, dhe kjo do të kërkonte përgatitjen e publikut kosovar për të bërë lëshimet e nevojshme.”
Opsione për kompromis
Mundësitë me të cilat mund të arrihet tek kompromisi janë tri: E para bazohet në ëmbëlsimin e Serbisë, e cila do të merrte mbështetjen e donatorëve për zhvillimin dhe anëtarësimin në BE, si shpërblim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. E dyta do të ishte që Serbia të njihte pavarësinë e Kosovës, si këmbim për krijimin e zonave të reja autonome për serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Serbisë. Dhe opcioni i tretë do të ishte këmbimi i territoreve, siç e parashihte projektmarrëveshja e vitit 2018.
“Asnjë nga këto opsione nuk është ideal,” pranon raporti ku thuhet se: “Aktualisht, Brukseli duhet të fokusohet në inkurajimin e negociatave në të cilat palët do të ishin të lira të gjenin zgjidhje që do ishin në përputhje me të drejtat e njeriut dhe ligjet ndërkombëtare”.
Si BE ashtu edhe SHBA duhet të luajnë rolin e tyre, thuhet në raport. BE duhet të shohë a mund të ndryshojë qëndrimin duke vendosur si qëllim të qartë arritjen e marrëveshjes finale bazuar në njohjen reciproke (gjë që nuk e pranojnë pesë vendet e BE nuk që nuk e njohin Kosovën) dhe të bëjë të qartë se mediatorët e BE nuk do t’i shmangen diskutimeve, si për autonomi ashtu edhe për këmbime territori, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Kurse SHBA nga ana e saj duhet të punojë me qeverinë e Kosovës për të zhvilluar një strategji bisedimesh, bazuar në mirëkuptimin që njohja është e mundur, por duke pranuar kushte të caktuara, thuhet në raport. “Partnerët e Kosovës duhet të përgatiten për mundësitë që bisedimet të vazhdojnë pa sjellë ndonjë zgjidhje. Në këto rrethana strategjia më e mirë mund të ishte hapja që do t’i krijonte mundësinë Kosovës të vazhdonte integrimin në institucionet ndërkombëtare dhe të vendoste lidhjet ekonomike, politike dhe të sigurisë me pjesën tjetër të botës. Ata mund të dërgojnë në Prishtinë një pjesë më të madhe të investimeve dhe ndihmave për Ballkanin. Kjo do t’i kujtonte Beogradit se nuk ka në dorë veton e përhershme mbi të ardhmen e Kosovës,” shkruan Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin për dialogun Prishtinë-Beograd.