Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka mbajtur sot konferencën “Përfshirja e komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”, në Gjakovë.
Qëllimi i konferencës ka qenë mbledhja e akterëve kryesorë në parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni në Gjakovë, përfshirë përfaqësues të Komunës, Policisë, Bashkësisë Islame, Komitete lokale për siguri, Forcës së Sigurisë së Kosovës, shoqërisë civile si dhe qytetarë.
Skender Perteshi nga QKSS theksoi se fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit është kërcënim në rritje ndaj sigurisë së vendit, dhe si i tillë kërkon një qasje gjithëpërfshirëse për luftimin e tij.
Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, e cila ishte pjesë e panelit, theksoi faktin se niveli lokal është porta e parë për zgjidhjen e problemeve në komunitet. Kusari-Lila ka përmendur po ashtu se nga komuna e saj 7 qytetarë kanë marrë pjesë në luftë jashtë Kosovës, prej tyre disa janë të vrarë në frontet e luftës së Sirisë dhe Irakut.
Kryetarja e Gjakovës ka folur edhe për problemet socio-ekonomike të shoqërisë dhe nevojën që të rinjtë të kenë më shumë aktivitete rekreative krahas edukimit, si një zgjidhje që i largon nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi.
Anën tjetër, përfaqësuesi i Bashkësisë Islame në Gjakovë, Ahmet Hoxha tha se shoqëria kosovare ka nevojë të informohet më shumë dhe të jetë në gjendje të bëjë dallimin mes ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit, si dhe vlerave që promovon besimi Islam. Sipas tij, besimi Islam nuk e ka asnjë lidhje me këto fenomene.
“Besimi Islam është besim i cili thërret në paqe, dashuri dhe respekt”, ka thënë ai.
Pjesë e panelit të konferencës ishte edhe komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj i cili prezantoi punën e policisë në parandalim dhe luftimin e ekstremizmin të dhunshëm.
Në pjesën e diskutimit gjatë konferencës ku morën pjesë mbi 50 veta, ndër tjerash u përmend se ideologjia është faktori më i rëndësishëm që shtynë njerëzit drejt radikalizmit të dhunshëm. U theksua nevojë e fuqizimit të rolit të gruas në shoqëri si dhe roli i edukimit dhe mediave.
Kjo ngjarje është pjesë e aktiviteteve që QKSS implementon për një vit në 11 komuna të Kosovës për parandalim dhe luftim të ekstremizmit të dhunshëm, projekt i cili mbështetet nga departamenti amerikan i shtetit, si dhe implementohet në kordinim me Ambasadën Amerikane në Kosovë.