QKSS: Pas vitit 2015, numri i kosovarëve që kanë udhëtuar në vende terroriste ka pësuar rënie

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 11:37 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka mbajtur konferencën në të cilën janë prezantuar të gjeturat e raportit “Përtej shkaktarëve: Kërcënimet e reja të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”.

Konferencën e hapi drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Florian Qehaja, i cili ndër të tjera tha se edhe pse shpesh ka edhe lajme të rreme dhe ekzagjeruese lidhur me gjendjen aktuale të ekstremizmit, prapë problemi ekziston dhe ka potencial për përdorim të dhunës, raporton Ekonomia Online.

“Tri-katër vitet e fundit në Kosovë është bërë punë mjaft e madhe për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe për informimin e qytetarëve dhe familjarëve dhe tani kemi një pasqyrë shumë më të qartë se ku vijnë rreziqet dhe tendencat për rekrutimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë”.

“Ka shumë ‘fake news’ që kanë tendencë ta sjellin këtë temë. Jemi kundër ekzagjerimit, por nuk jemi as për ta shmangur këtë temë, sepse problemi ekziston sepse ka potencial për përdorim të dhunës”.

Peter Van Der Bloemen nga ambasada e Holandës, tha se duhet të ekzistojë bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për analizimin e situatës në Kosovë.

“Situata në Lindjen e Mesme është duke ndryshuar shpejt, por ende kemi situata të komplikuara atje. Është i rëndësishëm bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë në të gjithë Evropën për ta kuptuar mirë edhe situatën aktuale në Kosovë”.

Skender Perteshi, autor dhe prezantues i raportit, tregoi se hulumtimi përfshin periudhën nga muaji tetor i vitit 2017 deri në korrik 2018.

Sa i përket metodologjisë së hulumtimit, Perteshi tregoi se janë përdorur të dhënat ekzistuese që kanë trajtuar kërcënimet që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë. Pjesë e metodologjisë janë edhe statistikat dhe intervistat me të afërmit dhe familjarët e personave të ndikuar nga ekstremizmi i dhunshëm.

Perteshi tha se grupet terroriste e kanë ndërruar strategjinë e veprimit, duke kërkuar që përfaqësuesit e organizatave terroriste të veprojnë edhe nga vendet ku ata jetojnë, duke mos qenë e domosdoshme të jenë fizikisht në Irak e Siri.

“Grupet terroriste janë shumë mobile për me ndërru strategjinë dhe e kanë ndryshu atë duke kërkuar prej përfaqësuesve të mos jenë vetëm fizikisht, por mund ta bëjnë punën edhe nga vendet ku gjenden. Kjo qasje ka ndiku edhe në Kosovë, sepse ka rënie drastike të numrit të personave që kanë udhëtu në Siri. Kjo ka ndodhë edhe si rezultat i luftës për parandalimin e ekstremizmit”.

“Ndryshimi i strategjisë ka ndiku edhe në rritjen e sulmeve terroriste. Në Evropë kanë ndodhë sulme, por edhe kanë ndodhë parandalime te sulmeve”.

Sipas raportit, çdo i pesti sulm terrorist në Evropë është bërë nga të rikthyerit nga vendet terroriste.

“Prej të rikthyerve në Evropë, çdo i pesti sulm terrorist në Evropë është kry prej të rikthyerve, domethënë prej njerëzve që kanë qenë fizikisht pjesë e organizatave terroriste dhe janë kthy në vendet e tyre”.

“Një nga 360 të kthyer në Evropë është përfshirë ose ka planifikuar një sulm terrorist pas kthimit nga përvoja luftarake me ISIS-in. Në Kosovë, 1 në 25-26 të rikthyer kanë qenë të angazhum në tentim sulme apo aktivitete të tjera terroriste, që janë parandaluar nga autoritetet”.

Sipas raportit, periudha kur kosovarët kanë udhëtuar më shumë në vendet terroriste janë vitet 2012-2014, raporton EO.

Një nga të gjeturat e raportit është se rreth 143 familja nga Kosova kanë udhëtuar në Siri e Irak për t’u bërë pjesë e konflikteve terroriste.

“Përveç individëve që kanë udhëtu në këto konflikte, ka raste edhe të familjarëve që kanë udhëtu në vendet e konflikteve të Sirisë e Irakut”.

Të ngjashme