Në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Agjencia e Lajmeve “Ekonomia Online” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka ndarë një mirënjohje post mortum për jetën dhe veprën e gazetarit Faton Osmani, në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke vlerësuar kontributin e tij si profesionist me integritet të lartë dhe themelues i kësaj agjencie.
Idrizi tha se Osmani ishte i përkushtuar ndaj së vërtetës, informimit të saktë dhe përgjegjësisë publike, duke shtuar se gjatë gjithë karrierës së tij dëshmoi se gazetaria është mision dhe shërbim për shoqërinë, ndërsa theksoi se përvoja e tij në media të shkruara, agjenci lajmesh dhe televizion, si dhe bashkëpunimet vendore e ndërkombëtare, e ndërtuan atë si një emër të respektuar në qarqet mediatike.
“Sot jemi mbledhur për të kujtuar dhe nderuar jetën dhe veprën e gazetarit Faton Osmani, në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Një përvjetor që shënon peshën e mungesës së një profesionisti të rrallë dhe të një njeriu me integritet të lartë. Faton Osmani ishte një gazetar i përkushtuar ndaj së vërtetës, informimit të saktë dhe përgjegjësisë publike. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij profesional, ai dëshmoi se gazetaria nuk është thjesht profesion, por mision dhe shërbim ndaj shoqërisë.Me përvojë të gjerë në media të shkruara, agjenci lajmesh dhe televizion, si dhe me bashkëpunime të rëndësishme vendore e ndërkombëtare, Faton Osmani ndërtoi një emër të respektuar në qarqet mediatike. Ai kontribuoi me profesionalizëm, maturi dhe etikë në çdo rol që ushtroi – si reporter, redaktor dhe udhëheqës”, tha ai.
Idrizi shtoi se, si bir i Vushtrrisë, Osmani po nderohet me respekt të veçantë përmes kësaj mirënjohjeje që po i dorëzohet familjes së tij, për kontributin e jashtëzakonshëm si gazetar profesionist dhe themelues i Ekonomia Online, duke nënvizuar se kjo është një shprehje falënderimi dhe dëshmi se puna dhe vlerat e tij vazhdojnë të frymëzojnë breza gazetarësh, ndërsa u bëri thirrje të pranishmëve që ta kujtojnë duke ruajtur parimet profesionale për të cilat ai jetoi dhe punoi.
“Një kapitull i veçantë i veprës së tij është themelimi i Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”, në vitin 2010. Si themelues dhe drejtor ekzekutiv, ai krijoi një medium serioz, të besueshëm dhe me standarde të larta profesionale. Parimet që ai ndërtoi – saktësia, paanshmëria dhe përgjegjësia profesionale – mbeten një trashëgimi e gjallë në punën e kësaj agjencie. Faton Osmani ishte bir i Vushtrrisë. Andaj, në këtë akademi përkujtimore, me respekt të veçantë, do t’i dorëzoj familjes së tij një mirënjohje post mortum për kontributin e jashtëzakonshëm si gazetar profesionist, me integritet dhe përkushtim të lartë në shërbim të informimit të drejtë të publikut, si dhe si themelues i Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”. Kjo mirënjohje është shprehje falënderimi, por edhe dëshmi se puna dhe vlerat e Faton Osmanit jetojnë përtej kohës dhe vazhdojnë të frymëzojnë breza gazetarësh. Në fund, le ta kujtojmë Fatonin jo vetëm me fjalë, por duke ruajtur dhe kultivuar ato parime profesionale për të cilat ai jetoi dhe punoi. Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm”, tha ai.
Faton Osmani u nda nga jeta në moshën 49 vjeçare, më 11 shkurt 2025.
La pas gruan, vajzën dhe djalin, që të tre pjesë edhe tani të Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online, qoftë në drejtimin e saj, qoftë në punën e përditshme, drejt zhvillimit të saj të mëtejshëm.
Faton Osmani ishte themelues, pronar dhe drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online. Por, mbi të gjitha ishte gazetar.
Profesionist i vërtetë me vlerat më të larta. Bëri emër të nderuar në qarqe mediatike dhe gëzonte respekt nga publiku i gjerë. Qysh në fillimet e tij në fushën e gazetarisë, me talent të pamohueshëm dhe me përkushtim maksimal, shpejt e fitoi besimin dhe ia doli mbanë të bëhej reporter i klasit të parë, duke mbuluar ngjarjet kryesore dhe zhvillimet më me peshë, në radhë të parë politike.
Vetëm pas ndonjë viti krejt natyrshëm dhe me plot meritë u avancua në redaktor. Ishte redaktor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovalive”, redaktor i gazetës “Lajm”, redaktor i gazetës “Express”, redaktor i gazetës “Jeta në Kosovë”, ndërsa një kohë punoi edhe në televizion, në KTV.
Bashkëpunoi me një varg mediash të tjera, përfshirë edhe ato ndërkombëtare. Ishte korrespondent në Kosovë i njërës nga agjencitë më të mëdha të lajmeve në Gjermani, Deutsche Presse-Agentur (DPA). Po ashtu një kohë ishte korrespondent në Kosovë i gazetës “Shekulli” në Tiranë.
Në vitin 2010 Faton Osmani themeloi Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online. Ai dëshmoi aftësi udhëheqjeje, me sens për krijimin e një fryme pozitive dhe të shëndoshë për punë. Shquhej në vazhdimësi për dinjitet të lartë profesional, duke pasur të rrënjosur bindjen se në gazetari gjithçka evoluon, porse saktësia dhe paanshmëria mbeten parime të pandryshueshme.
Është vlerësim i përgjithshëm se arriti që Agjencia e Lajmeve Ekonomia Online të jetë një medium serioz i standardeve të larta profesionale, burim i sigurt informacioni dhe partner i besueshëm i dhjetëra mediumeve në Kosovë dhe jashtë saj.







