Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, kanë vizituar fabrikën “Loni Dekor” në këtë komunë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë kësaj vizite, ata kanë parë nga afër punën e fabrikës e cila merret me përpunimin dhe ndërtimin e mobiljeve.
E veçanta e kësaj fabrike, sic tregoi edhe pronari i saj, Faton Hyseni, është se aty kryejnë punë praktike studentët e Vushtrrisë.
Ai ka thënë për Ekonomia Online se studentët trajnohen nga profesionistë dhe notohen për punën praktike.
“Kjo nuk është ndërprerje e shkollës, është pjesa praktike e cila ka shumë rëndësi dhe shumë nevojë. Edhe kjo është shkollë sepse secili nga këta notohet në bazë të praktikës, si dhe këta e kanë pjesën e suportit nga trajnerët profesional dhe i trajnojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Hyseni.
Para kësaj vizite, kryetari Idrizi dhe ambasadori Hargreaves kanë zhvilluar edhe takim në komunë, kanë vizituar Kalanë e Qytetit dhe punimet në sheshin “Adem Jashari”.