Idrizi e Peci marrin pjesë në Forumin e pestë për Sundimin e Ligjit

Prishtinë | 16 Mar 2018 | 15:43 | Nga

Me ftesë AIRE Centre dhe Civil Rights Defenders, kryesuesi i KGjK, Nehat Idrizi së bashku me kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, gjyqtarin, Agim Maliqi dhe drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, Valon Kurtaj, po marrin pjesë në Forumin e pestë rajonal mbi Sundimin e Ligjit në Evropën Juglindore, i cili po mbahet sot, në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup.

Forumi ka për synim promovimin dhe zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar, inkurajimi i bashkëpunimit rajonal në zhvillimin e vazhdueshëm të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, dhe përkrahja e procesit të integrimit të rajonit në BE.

Tema e Forumit 2018, është ndalimi i torturës, dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore apo poshtëruese sipas nenit 3 të Konventës.

Pjesëmarrësit në Forum, do të diskutojnë mbi obligimet pozitive të shtetit dhe mbi zbatueshmërinë e nenit 3 gjatë paraburgimit, keqtrajtimit të personave veçanërisht të lëndueshëm, siç janë fëmijët, dhe ata me probleme mendore, keqtrajtimi i emigrantëve si dhe përdorimi në procedimet penale, të dëshmive të nxjerra përmes torturës.

Forumi, përveç Kosovës ka ftuar pjesëmarrës edhe nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, duke përfshirë përfaqësues të gjykatave supreme dhe gjykatave kushtetuese të vendeve të rajonit, kryesues të këshillave gjyqësore, drejtues të akademive dhe institucioneve trajnuese gjyqësore, agjentë qeveritarë pranë Gjykatës së Strazburgut dhe përfaqësues të OJQ-ve e ekspertë të njohur lokal të fushës.

Ky është Forumi pestë rajonal vjetor mbi sundimin e ligjit. Forumi i parë është mbajtur në Budvë të Malit të Zi, në vitin 2014, Forumi i dytë është mbajtur në Beograd, në vitin 2015, Forumi i tretë është mbajtur në Sarajevë, në vitin 2016 dhe Forumi i katërt është mbajtur në Tiranë, në vitin 2017.

Të gjitha këto forume janë cilësuar si të suksesshme, ku në vete kanë mbledhur përfaqësues të autoriteteve të larta gjyqësore nga tërë rajoni të cilët punojnë së bashku me gjykatësit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme