Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se nga 17 tetori pritet të nisë unifikimi i sistemit të drejtësisë në veri. Ai thotë se në pjesën veriore të Kosovës do të vendosen gjyqtarët nga lëmia penale nga të gjitha komunitetet që janë përzgjedhur. Idrizi pranon se sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me numër të madh të lëndëve të pazgjidhura. Ai në intervistë flet edhe për ndikimet e mundshme politike në sistemin e drejtësisë.
REL: Zoti Idrizi, sistemi i drejtësisë në Kosovë në vazhdimësi është kritikuar si nga vendorët po ashtu edhe nga ndërkombëtarët, qoftë për mungesë të pavarësisë apo edhe për ndikimet politike. Si e shihni ju, nga çka vuan ky sistem?
Idrizi: Sistemi i drejtësisë, konkretisht sistemi gjyqësor, pas luftës duke u nisur nga rregullat dhe procedurat e emërimit të gjyqtarëve ka ndikuar që vërtetë të kemi një numër të madh të lëndëve të grumbulluara dhe në njëfarë mënyrë të cenohet e drejta e qytetarëve për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm.
Në vitin 2013 janë bërë disa reforma në sistemin tonë gjyqësor. Është bërë një organizim i ri i gjyqësorit, i cili ka qenë deri në vitin 2012. Organizimi ka qenë në bazë të ligjeve nga ish-federata e mëparshme (jugosllave), kurse tani kemi një organizim të ri. Gjyqtarët në periudhat e kaluara kanë qenë të emëruar për kohë të caktuar dhe nuk kanë pasur mandat të përhershëm. Në njëfarë mënyre nuk kanë pasur një siguri juridike. Ka edhe shumë faktorë të tjerë, po ky ka qenë faktori ndër kryesorët që ndoshta ka ndikuar që ata të mos kenë pasur motiv apo vullnet të angazhohen e të punojnë më tepër.
Mirëpo me qenë se Kosova ka dalë nga një gjendje e luftës, numri i madh i kontesteve, i veprave që janë kryer ka rritur numrin e lëndëve. Kështu që gjyqtarët e kanë pasur të pamundur të jenë efikas në zgjidhjen e lëndëve me kohë. Kjo ka ndikuar që qytetarët ta humbin besimin të gjyqësori. Ne po shpresojmë që dalëngadalë tani prioritet në mandatin tim, nga momenti që kam marr pozitën e kryesuesit, i kam dhënë çështjes së lëndëve të grumbulluara në mënyrë që ato të zgjidhen brenda afatit të arsyeshëm. Me një fjalë, që qytetarët të mos presin me vite të tëra derisa ta realizojnë një drejtë të tyre. Sa u përket intervenimeve, ndikimeve, së paku mendimi im është dhe nuk ka ndodhur asnjëherë të kemi ndonjë thirrje nga ndonjë politikan apo zyrtar për çështje të caktuar.
Por, nuk përjashtohet mundësia që ndoshta në mënyrë individuale dikush nga gjyqtarët të lejon interferimin apo ndikimin nga jashtë dhe në këtë mënyrë e shkelë edhe kodin e etikës dhe gjyqtarit.
REL: A ka guxim në gjyqësorin kosovar për të trajtuar rastet e krimit dhe korrupsionit, sidomos ato të nivelit të lartë?
Idrizi: Gjyqtarët tani janë duke gjykuar. Se çfarë nivele do të ketë, lëndë të nivelit të lartë, gjegjësisht të akuzuar të nivelit të lartë, të mesëm apo të ulët, kjo nuk varet nga gjyqësori, po kjo varet nga Prokuroria si organ kompetent i cili e bën ndjekjen, gjegjësisht ngritjen e aktakuzës.
Ne si Këshill Gjyqësor kemi hartuar një plan të veprimit dhe i kemi dhënë prioritet lëndës së natyrës korruptive dhe në baza mujore dhe tre mujore marrim raport nga komisioni i cili ka për obligim që të grumbullojë të dhëna nga kryetarët e gjykatave se në çfarë faza dhe si po procedohen lëndët e korrupsionit.
Do të thotë, gjyqtarët kanë guximin dhe vendosmërinë që të gjykojnë dhe të vendosin edhe për lëndë të nivelit të lartë që kanë të bëjnë me korrupsionin, pa një hezitim. [Në proces të shqyrtimit] ka lëndë të nivelit të ministrave, zëvendësministrave, drejtorëve, zyrtarëve të agjencive, të policëve dhe të vetë gjyqtarëve, po jo ndoshta në atë nivelin që pret publiku.
Tash kjo nuk varet nga gjyqësori po varet se çfarë aktakuza kemi në gjykatë që dorëzohen nga ana e Prokurorisë.
REL: Gjatë përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme dhe atij të Apelit, kishte vërejtje në formën e përzgjedhjes nga ambasadat e huaja dhe përfaqësuesit evropianë. Sa janë përfillur rekomandimet e dhëna?
Idrizi: Neve rekomandimet e përfaqësuesve të ambasadave nuk na obligojnë. Mirëpresim çdo ndihmë, çdo kontribut, por ato janë mendime dhe opinione të tyre. (Vërejtjet) kryesisht kishin të bënin me procesin e votimit. Kërkesa e tyre ka qenë që votimi të jetë i hapur.
Ne në bazë të standardeve dhe praktikës së deritanishme, do të thotë kryetari i Gjykatës Supreme, zëvendësi i tij, Kryeprokurori i Shtetit, i Apelit dhe prokurorët e (gjykatave) themelore, janë zgjedhur me vota të fshehta. Por, edhe kryetarët që më herët janë zgjedhur, janë zgjedhur me votim të fshehur.
Ne kemi vepruar sipas rekomandimeve të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Kanë qenë dy rekomandime kryesore për Këshillin Gjyqësor. Rekomandimi i parë ka qenë që votimi i kandidatit të bëhet në një listë në pako, e jo në mënyrë individuale, si dhe të jepet kuptimi i votës abstenuese. Ne iu kemi përmbajtur rekomandimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi bërë ndryshimin e rregullores, të gjithë kandidatët kanë qenë të përfshirë në një listë votuese dhe anëtarët e Këshillit, varësisht se kush, kanë votuar një kandidat. Po ashtu, është dhënë edhe kuptimi i votës abstenuese. Besoj që kjo është tejkaluar.
Unë thashë se kemi një bashkëpunim dhe falënderojmë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për këshillat dhe sugjerimet, por tash nuk do të thotë se gjithherë do të mund të pajtohemi, sepse këto janë standarde që edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese rekomandohet që vota e fshehtë është votë standarde dhe e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
REL: Sa paraqet sfidë për sistemin unik të drejtësisë funksionimi paralel në veri të Kosovës?
Idrizi: Në vitin 2013 u nënshkrua Marrëveshja për drejtësinë në mes të dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Për fat të keq, implementimi i kësaj marrëveshjeje që nga viti 2013 deri më sot nuk është bërë edhe pse ne bënim të gjitha përgatitjet që implementimi i kësaj marrëveshje të fillonte në muajin janar të këtij viti, por nuk ndodhi.
Tani po shpresojmë që pas takimit që patën dy presidentët në Bruksel, të cilët u zotuan se do të bëhet implementimi, ne tani jemi në fazën e përgatitjeve të implementimit të kësaj marrëveshjeje. Ne po shpresojmë që më 17 tetor do të jetë gjithçka e gatshme dhe po shpresojmë që më në fund, pavarësisht disa dështimeve që janë bërë, më në fund do të bëhet implementimi i kësaj marrëveshjeje.
Këtu është edhe qëllimi kryesor, pra që të kemi një sistem gjyqësor unik në veri, që do të thotë që edhe gjyqtarët do të punojnë sipas legjislacionit të Kosovës. Gjyqtarët serbë, shqiptarë, turq dhe të tjerë do të punojnë së bashku, si në pjesën veriore po ashtu në pjesën jugore.
Në pjesën veriore do të vendosen gjyqtarët nga lëmia penale, nga të gjitha komunitetet që janë përzgjedhur. Ndërkaq, në pjesën jugore, në objektin e ish-Jugobankës do të vendosen gjyqtarët e lëmisë civile si dhe departamenti penal për të mitur.