Kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, premton dyfishimin e buxhetit për sportistët. Këtë zotim ajo e ka dhënë në një takim me sportistët e këtij qyteti, ku ishin të pranishëm edhe figura të larta të PDK-së.
Idrizi është shprehur e entuziazmuar me mbështetjen nga sportistët. “Nuk do të flas shumë, sepse ndodhem në mesin e njerëzve që flasin pak e punojnë shumë. Ju meritoni shumë falënderime për arritjen e sukseseve në kushte të tilla, për përfaqësimin e Mitrovicës në të gjitha nivelet. Mitrovica ishte qytet i sportit. Rasti i sportistëve të Mitrovicës mund të cilësohet si “Sui Generis”, në kushte tejet të vështira, e në shumë raste edhe pa kushte fare rezultate të shkëlqyeshme, shumë medalje jo vetëm në nivel kombëtar”, tha ajo.
Ajo garantoi sportistët se me ardhjen në krye të komunës do të shumëfishohet buxheti për ta, do të shtohen hapësirat sportive, do të përkrahen të gjitha klubet sportive dhe sportistët, ndërsa sportistët do ta kenë përfaqësuesin e tyre në komunë. “Ne do të investojmë për fëmijët tuaj që edhe ata të bëhen kampion dhe t’ua kalojnë edhe juve”.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, mandej ministrat Kujtim Gashi e Bedri Hamza, kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati etj, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për programin dhe vizionin e kandidates për kryetare të komunës. Ministri, Kujtim Gashi, fillimisht ka falënderuar të pranishmit duke thënë se ndihet jashtëzakonisht mirë që takon edhe sportistët legjendë siç është boksieri, Xhevdet Peci, por edhe të tjerët që kanë bërë emër në sport jo vetëm në atë kosovar. Ai premtoi se me Valdete Idrizin sporti mitrovicas do të përfitoj shumë.
Ndërsa ministri, Bedri Hamza, i siguroi sportistët se me ardhjen e Valdete Idrizit si kryetare e komunës, një gruaje që vjen nga një familje e njohur për gjithë Mitrovicën për punën e ndershme e shumë patriotike, sportit mitrovicas do t’i kthehet nami. “Nuk do të lejojmë që të shuhet asnjë klub sportiv. Nuk do të lejojmë që në mungesë të kushteve të dështojë asnjë sportist. Do të investojmë jo vetëm në stadiumin olimpik “Adem Jashari” por gjithkund aty ku ka nevojë”, tha ai.