Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka vizituar ndërmarrjen “Berrykode” në Maxhunaj, e cila merret me kultivimin e boronicave, raporton Ekonomia Online.
Idrizi u prit nga bashkëpronari i këtij plantacioni, Arif Kastrati, i cili tha se ka gjashtë hektarë të mbjella me boronicë.
Ky plantacion do të jetë edhe vendi i praktikës profesionale për nxënësit e profilit të bujqësisë, ndërsa pronari i këtij biznesi, Arif Kastrati, ofroi 2 bursa studimi për studentë të bujqësisë në afat katërvjeçar.
Me këtë rast, Idrizi ka falënderuar pronarin e këtij plantacioni, i cili do t’iu mundësojë kryerjen e praktikës nxënësve të shkollës profesionale.
“Po sot jemi në plantacionin e boronicës të pronarit Arif Kastrati, një plantacion afro gjashtë hektarë dhe kemi ardhë për ta përcjellë nga afër vjeljen e boronicës së bashku me drejtorin e Bujqësisë, drejtoreshën e Arsimit dhe ekspertë të Bujqësisë. Arsyeja është e prezencës sonë këtu është urimi për vjeljen e boronicës dhe ta falënderojmë pronarin sepse na ka ofruar bashkëpunimin që nxënësit e shkollës profesionale drejtimi i bujqësisë, të vijnë këtu dhe ta kryejnë praktikën profesionale”, tha Idrizi.
“Është një vendim që e kam premtuar gjatë fushatës zgjedhore dhe një prej objektivave të mia kryesore përgatitja e të rinjve për tregun e punës përmes arsimit dhe aftësimit profesional. Një pjesë e të rinjve i përgatisim përmes sistemit arsimor të rregullt përmes shkollave profesionale që i kemi, ndërsa një pjesë e të rinjve që i kemi t’i përgatisim përmes arsimit për të rritur përmes qendrave të trajnimeve, dhe kjo është arsyeja që do t’i mbështesim 100 për qind”, tha tutje ai.
“Po ky bashkëpunim është i domosdoshëm, sidomos për dobitë që i ka në tregun e shitjes që është i garantuar gjithsesi, sepse nëse i ka gjashtë hektarë me një profit shumë të mirë, atëherë ja vlen, ndërkaq ne jemi të interesuar që të rinjtë dhe të rejat t’i përgatisim në tregun e punës në shumë fusha të ndryshme. Vlerësoj dhe besoj fuqishëm që është një prej objektivave kryesore por edhe një prej elementeve më të rëndësishme përgatitja e tregut të punës edhe për zhvillim ekonomik”, tha tutje Idrizi.
Bashkëpronari i plantacionit të boronicave, Arif Kastrati, tha se me pranimin e nxënësve për punë praktike, pas disa muajve do t’i ndajnë dy bursa katër vjeçare.
Ai tha se do t’i ndajnë 2 bursa studimi për studentë të bujqësisë në afat katërvjeçar.
“Plantacionin e kemi ngrit në vitin 2016, janë gjashtë hektarë me boronicë dhe është hera e parë që në Vushtrri kjo kulturë po mbjellët. Që nga viti 2016, është kryetari i parë që ka gjet mundin dhe kohën të vijë dhe të interesohet për mundësinë e bashkëpunimit që është i rëndësishëm për neve. Komuna këtë vit ka vendosur të na subvencionojë me 50 për qind të shpenzimeve të ujitjes që është ndihmë shumë e madhe por ndihma më e madhe është që po interesohet”, tha ai.