Serbët presin nga Vuçiqi një politikë të re në raport me Kosovën

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Korrespodenti nga Beogradi, Idro Seferi, ka thënë se në Serbi është duke u pritur që të ketë një politikë të re të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në raport me Kosovën.

Ai këto komente i bëri në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke shtuar se nga seanca që është duke u zhvilluar në parlamentin e Serbisë për Kosovën nuk pret ndonjë vendim apo politikë të re.

“Po është në vazhdën e deklarimeve të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pavarësisht se ai shprehë pesimizëm zakonisht për situatën dhe gjetjen e zgjidhjes me Kosovën. Para disa ditësh ai deklaroi në Serbi që është një ëndërr dhe jo një realitet ajo se çfarë mund të bëjë Serbia në Kosovë”.

“Nëse lexohet mes rreshtave, në Serbi është duke u pritur që të ketë një politikë të re të Presidentit Vuçiq në raport me Kosovën. Edhe pse nuk pres që gjatë kësaj seance do të ndodhë një gjë e tillë”.

“Megjithatë kjo seancë është e rëndësishme për shkak se Parlamenti i Serbisë për herë të parë diskuton për Kosovën (në shumë vite) dhe mendoj se në një farë forme është duke u zhvilluar politika e Serbisë, por në formë paralele Vuçiq është duke folur sa më shumë për ato se çfarë janë mundësitë reale të Serbisë në Kosovë”.

“Në Beograd shumë rrallë flitet se Kosova është pjesë e Serbisë; përveç kur ka konfrontime me politikanët në Prishtinë. Por ajo që mund të vërehet nga deklarimet e tij është edhe tentimi për ta afruar Serbinë drejt realitetit. Madje e ka përmendur disa herë se Serbia nuk e kontrollon asnjë pëllëmbë në Kosovë”.

Të ngjashme