Fondacioni Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) me qendër në Turqi, në kuadër të shpërndarjes së ndihmave me rastin e muajit të Ramazanit sot bëri shpërndarjen e produkteve ushqimore për 200 familjet e invalidëve të luftës në Kosovë, veteranët e luftës në Fushë Kosovë, komunë afër Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Fondacioni IHH gjatë muajit të Ramazanit si në 104 shtetet e botës, edhe në Kosovë ka nisur shpërndarjen e ndihmave humanitare me pako ushqimore dhe veshmbathjes, ndërsa edhe me organizimin e iftareve në qytetet e ndryshme të Kosovës për nevojtarët.
Osman Atalay, anëtar i Këshillit të Bordit Drejtues të IHH-së, në një deklaratë për AA tha se muaji i Ramazanit është një muaj që pritet me ndjenja të mirësisë nga muslimanët në mbarë botën dhe theksoi se ky fondacion si në shtetet e tjera të botës ka nisur shpërndarjen e ndihmave humanitare edhe në Kosovë.
“Ne kemi për qëllim që t’i ndihmojmë 2 mijë familje në komunat e Kosovës si në Prishtinë, Prizren, Mamushë, Gjakovë dhe Rahovec dhe të organizojmë iftarë për 1 mijë persona, por edhe t’iu dhurojmë veshmbathje për Bajram 500 fëmijëve jetim në Kosovë. Kurse sot këtu në Fushë Kosovë kemi ndihmuar 200 familjet e Shoqatës së invalidëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me ushqim për Ramazan”, tha Atalay.
Nusret Azemi, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Invalidëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga dega në Fushë Kosovë duke falënderuar Fondacionin IHH për ndihmën theksoi se ndihmat nga shteti mik i Turqisë nuk vijnë vetëm për muajin e bekuar të Ramazanit.
Ai duke nënvizuar se Turqia ka ndihmuar Kosovën gjatë dhe pas luftës njoftoi se Fondacioni IHH ka shëruar pjesëtarët e UÇK-së pas luftës në spitalet turke. “Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi mirënjohës shtetit mik të Turqisë. Ne si kategori e dalur nga lufta, në emër të tri kategorive ju falënderojmë nga zemra”, tha Azemi.
Shoqata Ensar nga Maqedonia në bashkëpunim me Fondacionin IHH nga Turqia më 28 maj organizuan program iftari në qytetin lindor të Maqedonisë, Strumicë. Në këtë program u shtrua iftar për rreth 300 persona nga Strumica dhe rrethina. Në po të njëjtën ditë, në Strumicë u bë edhe shpërndarja e paketave ushqimore për nevojtarët.
Ndryshe, në kuadër të ndihmave humanitare gjatë muajit të Ramazanit, IHH do të organizojë iftare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Preshevë, Sanxhak, Rumani, Bullgari dhe Hungari dhe do të shpërndajë paketa ushqimore.