Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) thotë se është duke e përcjell situatën meteorologjike në gjithë territorin e Kosovës dhe janë të gatshëm 24 orë që të japin informata për ndryshimet e motit.
“Në informatën e djeshme lidhur me parashikimin e motit ju kemi informuar në detaje për temperaturat dhe trashësinë e borës në pjesët e ndryshme të Republikës së Kosovës dhe vazhdojmë ta përcjellim situatën meteorologjike dhe tani”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
“Temperaturat e ulëta gjithmonë merren ato të orëve të para të ditës. Kjo gjendje e tanishme meteorologjike nuk është diçka që nuk ka ndodhur vite më parë, prandaj nuk e kemi parë të arsyeshme që ne si IHMK të shpallim një gjendje të jashtëzakonshme apo emergjente siç pamë në disa portale që njerëzit jozyrtar që në fakt nuk janë as pjesë e IHMK-së dalin e prononcohen me vlera të cilat nuk janë institucionale”, thuhet në njoftim.
IHMK posedon rregulloren me të cilën ia ndalon të gjithë personave jashtë institucional që të merren apo të informojnë popullatën me informata rreth motit.
“Do të vije dita që përpos individëve që japin informata rreth motit e aq ma keq edhe shpallin gjendje të jashtëzakonshme dhe bashkë me ata edhe portalet që lansojnë informata jashtëinstitucionale, të japin përgjegjësi para ligjit”.
“Ne si IHMK bëjmë parashikime dhe ju dërgojmë gjitha medieve, kurse organet kompetente nëse e shohin të arsyeshme shpallin gjendje të jashtëzakonshme”.