Organizatat joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, e kanë vlerësuar të papranueshëm propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
Përmes një komunikate për medie, organizatat e lartpërmendura kanë reaguar pasi KPK-ja votoi unanimisht që Blerim Isufaj të jetë Kryeprokurori i ri i Shtetit dhe ky propozim do të dërgohet tek presidentja Vjosa Osmani, për të vendosur përfundimisht lidhur me emërimin.
“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit. Kështu, organizatat e sipërshënuara Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, më 24 mars 2022 publikuan Raportin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit: Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se koalicioni i OJQ-ve, kishin tërhequr vërejtjen që Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar, duke cenuar kështu meritokracinë e procesit.
“Në këtë Raport, IKD, GLPS dhe FOL (tutje: Koalicioni) tërhiqnin vërejtjen që Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë qartazi të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit. Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht. Njëherit, kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Komisioni dhe, krahas kësaj, defektet e caktuara procedurale kishin dështuar të siguronin një vlerësim të mirëfilltë dhe adekuat të kandidatëve. KPK ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”, vazhdon komunikata.
Por, thuhet se me gjithë vërejtjet dhe kritikat rreth këtij procesi, anëtarët e KPK-së kanë votuar në mënyrë unanime për Isufajn.
“Me gjithë vërejtjet dhe kritikat objektive të bëra, është brengosëse që Këshilli Prokurorial ka propozuar për emërim z. Isufajn, në mënyrë unanime. Është për t’u habitur se si të paktën një anëtar i Këshillit nuk është bindur nga analiza e dhënë përmes monitorimit objektiv të procesit. Një veprim i tillë i Këshillit vetëm sa reflekton edhe më tutje faktin që Këshilli Prokurorial qeveriset me mendësi korporatiste, pa objektivitet në vendimmarrje, ashtu siç kishte tërhequr vërejtjen për një rrezik të tillë edhe Komisioni i Venecias në opinionin për Kosovën CDL-AD(2021)051”, thuhet tutje në komunikatë.
Në fund, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, i kanë bërë thirrje presidentes që gjatë vlerësimit të saj për emërim, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces
“Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim do të dërgohet tek Presidentja e vendit për dekretim përfundimtar, me të cilin z. Isufaj do të emërohej Kryeprokurori i ri i Shtetit, me mandat shtatëvjeçar. Koalicioni i bën thirrje Presidentes që, në kuptim të mandatit të saj kushtetues për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve, të garantojë integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit ashtu që mangësitë e theksuara objektive të këtij procesi t’i marrë parasysh në vlerësimin e saj për emërim”, thuhet në komunikatë.