Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), ka thënë se vrasja e Sebahate Sopit ka ndodhur për shkak të mosveprimit të institucioneve të shtetit, përkatësisht prokurorisë.
Në konferencën për medie ku u publikua raporti “Shteti me mosveprim privoi nga jeta Sebahate Sopin”, tha se Prokuroria po mundohet ta mbulojë këtë rast.
Ehat Miftaraj nga IKD-ja tha se Sebahate Sopi është viktimë e shtetit të Kosovës.
“Republika e Kosovës edhe njëherë dështoi në mbrojtjen e Sebahate Sopit, në bazë të ekspertizës është viktimë e shtetit të Kosovës. Pozita e prokurorit nuk është privilegj, por është përgjegjësi para Kushtetutës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Sebahate Sopi ka qenë viktimë e dhunës në vitin 2019-të, si rezultat i kësaj kishte një urdhër mbrojtje të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, i cili urdhër-mbrojtje kishte skaduar në fund të vitit 2020. Më 3 mars, vajza e Sebahate Sopit, e kishte raportuar dhunën në familje ndaj nënës së saj nga babai i saj, e që prokurori i shtetit vetëm me një intervistim të zonjës Sopi, kishte mjaftuar që të mos marrë veprime shtesë për t’i siguruar të njëjës mbrojtje dhe siguri…Një veprim i tillë që Prokuroria më 4 mars të mos ndërmarrë veprime shtesë për t’u siguruar nëse e njëjta ka mbrojtje ka ndikuar që më 14 mars të këtij viti fatkeqësisht dy jetë të shuhen. E në këtë rast kemi viktimën Sebahate Sopi, që përmes analizës që kemi bërë përveç që është viktimë e bashkëshortit të saj, është viktimë e shtetit të Kosovës”,
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se mbrojta e grave dhe këtyre viktimave duhet të bëhet nga institucionet përkatëse.
“Do të donim që mbrojtja e grave të bëhet nga ata që duhet të na mbrojnë, dhe tashmë nuk është habi për këto raste ku gratë raportojnë për dhunën e tyre në familje”, tha Berisha.
Ajo theksoi që shpreson shume që kjo të jetë vrasja dhe dhuna e fundit që po u bëhet grave.
“Le të shpresojmë qe ky të jetë rasti i fundit që na ka bërë bashkë këtu, dhe të mos tolerohet vrasja dhe dhuna e grave”, përfundoi ajo.
Gëzim Shala nga IKD-ja tha se vrasjen Sopa i ka paraprirë dështimi i institucioneve.
“Vrasjes së të ndjerës Sopi i ka paraprirë dështimi i Institucioneve, dhe tashmë edhe vet institucionet dhe prokuroria që po mundohen ta mbulojnë këtë rast, bazuar në komunikatën e Prokurorisë në fjalë. Bëhet fjalë për një dhunë sistematike, dhe përkundër kësaj prokuroria nuk ka marrë as edhe një hap kundrejt kësaj dhe të parandalohet një vrasje”, theksoi tutje ai.