Përfaqësuesit e Institutit Kosovës për Drejtësi (IKD) gjatë publikimit të raportit “Llogaridhënia e gjykatësve dhe prokurorëve”, evidentuan një varg mangësish sa i përket zbatimit të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve.
Sipas përkufizimeve që jep ky ligj, autoriteti kompetent “nënkupton Kryetarët e Gjykatave, kryetarin e Gjykatës Supreme, Kryeprokurorin e Shtetit, kryeprokurorët dhe Këshillat si autoritete kompetente për pranimin e ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorisë për shkeljet e supozuara disiplinore sipas nenit 9, paragrafi 1”, raporton KOHA.
Me këtë rast, Ehat Miftaraj nga ky Institut theksoi se përkundër miratimit të ligjeve të duhura, zbatimi i tyre në praktikë mbetet në fazën e hershme.
“Në bazë të monitorimit tonë, ajo që po përsëritet vazhdimisht është që përderisa Kosova po miraton ligje të mira, zbatimi i tyre në praktikë mbetet problematik. Problem është edhe mos njohja e këtij ligji nga autoritet kompetente apo edhe institucioni i Avokatit të popullit”, tha Miftaraj në konferencë.
Kurse hartuesi i këtij raporti, Gzim Shala deklaroi se respektimi i këtij ligji mbetet minimal, teksa autoritet kompetente po i tejkalojnë kompetencat e tyre, përfshirë këtu edhe institucionin e Avokatit të Popullit.
“Llogaridhënia është një parim jetik që siguron pavarësinë e gjyqësorit, dhe nëse një sistem i drejtësisë nuk ka llogaridhënie, i njëjti nënkuptohet që shndërrohet në një agjenci qeveritare. Sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve, shuhet zyra e prokurorit disiplinor, dhe çështja e disiplinimit ju kthehet autoriteteve kompetente dhe Këshillit përmes të të cilave funksionon edhe Avokati i Popullit në mënyrë që të mos tejkalohen kompetencat e autoriteteve kompetente”, ka thënë ai.
Sipas këtij raporti del se ankesat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve tek autoritet kompetente shumica dërrmuese e tyre refuzohen nga autoritet kompetente.
Deri më 30 qershor 2019, IKD ka iniciuar gjithsej 17 procedura disiplinore ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, prej tyre 10 janë iniciuar ndaj prokurorëve.
Kurse deri më 30 qershor të këtij viti, IKD ka iniciuar 10 ankesa disiplinore, 9 prej tyre janë shqyrtuar.
IKD në bazë të monitorim, të zbatimit të Ligjit për përgjegjësitë disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokuroreve, ka gjetur se në shumicën dërmuese të rasteve autoritet kompetente kanë tejkaluar këtë kompetencë me ç ‘rast kanë hyrë në fushën e kompetencave që kanë panelet hetimore që themelohen nga këshillat e madje edhe në kompetenca të vet këshillave.
Më këtë rast IKD rekomandon që sistemi gjyqësor dhe prokurorial të ketë vullnet për të adresuar drejtë ngritjen e llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurial, si dhe për secilën ankesë disiplinore, autoritet kompetente të vendosin dhe të njoftojnë parashtruesin e ankesës disiplinore brenda afatit ligjor.
Ndër rekomandimet e dhëna IKD thekson edhe që Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të ë kuptoj drejt rolin që ka sipas Ligjit për Përgjegjësinë disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.