Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe me Sindikatën e Bashkuar, të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), me përkrahje të Programit për Angazhim Qytetar, të martën publikuan “Doracakun për shpalljen e grevës së ligjshme”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë diskutim, u tha se ndalja e pagave për grevistët është “mbytje për organizimin sindikal”.
Hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, tha se ndalja e pagave për grevistët nënkupton mbytje të organizimit sindikal.
Ai tha se pasojat e grevës nuk duhet të shikohen vetëm tek pagat por dëmi që shkaktohet nga grevat tek secili sektor.
“Me ua ndalë pagat arsimtarëve ku mblidhet 0.5% e pagës mujore është me e mbyt organizimin sindikal. Nëse një pagë e mësimdhënësit është 500 euro, atëherë 0.5 % është 2.5 euro. Rrjedhimisht, nëse ndalen pagat në sektorin ta zëmë për shembull të Arsimit, të minatorëve të Trepçës ose të secilit organ publik ose në sektorin privat të punëtorëve, atëherë organizim sindikal në Kosovë s’mundet me pas kurrë askush prej punëtoreve në Kosovë nuk hyn në grevë kur pasojat mundet me i pas në ndalesë të pagës dhe kur në Kosovë ka traditë sindikale siç është te SBASH-ku, por nuk ka organizatë të mëdha të punëtorëve ku përqindja e anëtarësisë paguhet më lartë, ku pastaj fondi mundet me i mbulu pagat e grevës”, tha Jakaj.
E kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), tha se “Doracakut për shpalljen e grevave të ligjshme” do iu ndihmon në realizimin e të gjitha kërkesave në lidhje me grevën.
“Është shumë i lehtë për tu përdorur edhe ka një gjuhë të qëndrueshme juridike, po ka edhe gjuhën të kuptueshme shqipe sepse e di kur kthehet në ana juridike shqipja e merr rëndësinë e vet”, tha Hykolli.
Hykolli përmendi edhe faktin se doracaku ka përfshirë të gjitha normativat ligjore dhe është i bazuar në ligj.
“Modelet e dhëna janë shumë të kuptueshme në këtë doracak dhe janë të përdorshme. Kanë dhënë këshilla të bollshme, negociatat për të arritur në qëllimet e caktuara. Kjo është e rëndësishme pasi grevat dhe protestat bëhen kur mungon dialogu social. Kur kemi dialog social e minimizojmë grevën”, tha Hykolli.
“Doracaku e ka arrit qëllimin e vet për çka është bërë është i qartë, ka ofru shumë informacione të duhura, udhëzime në aspektin ligjorë për mbajtjen e grevave legjitime sepse shumë është diskutu se a asht e ligjshme a jo dhe partneri social gjatë rrugës u mundu me pengu”, tha Hykolli.
Kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, tha se kërkesat e tyre në protestën e së mërkurës janë legjitime dhe se motoja është “Duam dialog social”.
“Protesta e nesërme është organizmi i bërë më së miri, do jenë krytari e Sindikatave bashkë me anëtarët e kryesisë nga ato shoqatave, po ashtu nga niveli komunal gjithashtu, shtatë universitetet do të jetë një numër i konsiderueshëm, kërkesat janë legjitime”, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se ata janë thirrur në nenin i cili figuron në Ligjin për organizimin e grevave, ku thuhet që punëdhënësi nuk ka të drejtë t’i ndëshkojë në asnjë formë e as në aspektin material.
“Ato deklarata që nuk do t’iu japim pagat ishin që të krijojnë frikë, stres te anëtarësia në mënyrë që ata mos po dorëzohen dhe për t’i frikësuar në të ardhmen të mos bëjnë protesta, greva deshti fati që opinioni edhe Instituti këtu edhe të tjerët na mori në mbrojtje, po e them në mënyrën më pozitive dhe Qeveria lëshoi pe dhe i dha pagat edhe për neve”, u shpreh Jasharaj.