Ikin nga 123 mjekë, Kosova në rrezik të mbetet edhe pa 1200 specialistë

Prishtinë | 24 Tet 2021 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Ikja e mjekëve nga Kosova po vazhdon edhe në këtë kohë pandemie, kushtet jo të mira në punë, paga e ulët dhe synimi për një jetë më të mirë, janë vetëm disa nga arsyet që po i shtyjnë mjekët të largohen nga Kosova.

Viteve të fundit, largimi i mjekëve nga Kosova, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, është parë si problematikë nga zyrtarët shëndetësorë.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës nga janari e deri më 1 tetor të vitit 2021, nga Kosova janë larguar 123 mjekë, kryesisht të rinj rreth moshës 31 vjet.

Kryetari i OMK-Së, Pleurat Sejdiu, tha për arbresh.info se trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova është në rritje.

Sipas tij, kushtet e punës, mungesa e ngritjes profesionale dhe pagat janë tri nga arsyet kryesore që po përmendin mjekët kur kërkojnë leje për t’u larguar jashtë vendit.

“Ju njoftojmë se Oda e Mjekëve të Kosovës për vitin 2021 ka lëshuar gjithsejtë 123 Certifikata mbi të kaluarën etike dhe profesionale. Mosha mesatare e mjekëve të cilët e kanë tërhequr certifikatën mbi të kaluarën etike për këtë vit, është 31 vjet. Sipas pyetësorit të OMK-së, arsye kryesor e tërheqjes së Certifikatës mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale del të jenë kushtet e punës, në kuptim të ambientit të vendit të punës, cilësia e shkollimit specialistik dhe të ardhurat e ulëta”, thotë ai.

Sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Shëndetësisë (FSSH), Blerim Syla, largimi i mjekëve të rinj është alarmant, derisa siç thotë ai, brenda vitit po ik një gjeneratë e tërë.

“Është një gjendje para kolapsit nëse mendojmë pak më larg sepse shkojnë aq shumë mjek brenda vitit i bëjnë një gjeneratë e tërë brenda një viti. Por brenda 10 viteve parashihet që të pensionohen afër 1200 specialistë dhe Kosova i ka krejt 3200 specialistë, imagjinojeni tani se çfarë situate është ka na pret dhe vërtet kjo është shqetësuese. Arsyeja e mjekëve qe po largohen është jo perspektiva edhe në rrafshin financiar, një mjek specialist për të mbajt në Kosovë më 650 euro, nuk po shohin asnjë perspektiv për fëmijët e tyre”, thotë Syla.

Ndryshe sipas të dhënave, paga e mjekëve në Kosovë është 650 euro, derisa, shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4,000 euro.

Të ngjashme