Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje sërish që qytetarët të mos u besojnë informatave të pasakta se vaksina MMR shkakton autizëm. Në një shkrim në Facebook të enjten, IKSHPK-ja ka thënë se pikërisht vaksinimi ka qenë një prej masave më të suksesshme të shëndetit publik.
“Falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, sot fëmijët tanë nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të zakonshme dhe shpesh fatale. Sëmundjet si paraliza e fëmijëve (Poliomieliti) është eliminuar, difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla, Rubella e lindur, që shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda, është parandaluar, ndërsa Fruthi, që dikur ishte shkaktari i shpeshtë i hospitalizimeve dhe vdekjeve, është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR ( Fruth-Parotit-Rubellë). Gjithashtu, janë vënë nën kontroll dhe parandalohen me sukses edhe shumë sëmundje përmes vaksinimit”, thuhet në njoftim të IKSHPK-së.
Ky njoftim ka vënë theksin se viteve të fundit po qarkullojnë informacione të rreme se vaksina MMR shkakton autizëm.
“Vitet e fundit janë përhapur disa informacione të pasakta që thonë se vaksina MMR shkakton autizëm. Kjo nuk është e vërtetë. Shkenca ka vërtetuar qartë se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin. Këtë e konfirmojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe shumë studime ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë”, thuhet në njoftim. “Vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje të rrezikshme. Rreziku më i madh për shëndetin vjen nga mosvaksinimi, jo nga vaksinat. Vaksina MMR mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Fruthi nuk është sëmundje e lehtë – ai mund të shkaktojë komplikime serioze si infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete”.
IKSHPK-ja ka kujtuar se profesionistët shëndetësorë janë burimi kryesor i informatave për prindërit për t’u informuar çdo herë për vaksinimin dhe rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.