Ilazi: Kaçaniku nuk është më “vatër e xhihadizmit”

Prishtinë | 27 Gus 2016 | 08:49 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga komuna e Kaçanikut në 30 muajt e fundit nuk ka pasur shkuarje të të rinjve në Siri apo vatrat e tjera ku po zhvillohen luftëra. Qyteti i vogël në kufi me Maqedoninë ishte cilësuar në raportimet e medieve të huaja si “vatër e xhihadizmit”, por kreu i Kaçanikut, Besim Ilazi, thotë se realiteti tashmë është tjetër.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari Ilazi ka thënë se me të kuptuar shkuarjen e të rinjve në luftërat e huaja, kanë reaguar dhe se nga ana e qytetarëve ka pasur reflektim.

“Kur e kemi hetuar një fenomen të tillë, ka pasur reagim nga unë si kryetar dhe nga Këshilli i Sigurisë, dhe kemi arritur të reflektojmë pozitivisht te qytetarët që mos të kemi raste të reja të shkuarjes… Nga të dhënat reale që dalin sot shihet se Kaçaniku nuk është vatër. Në komunën e Kaçanikut nuk mund të vërehet një element i një gjëje të tillë që është quajtur nëpër media të tjera ‘kryeqyteti i xhihadizmit’”, ka theksuar Ilazi.

Në këtë intervistë, ai flet dhe për sëmundjen gungore të lëkurës së gjedheve, e cila është bërë shumë shqetësuese për fermerët e këtushëm. Tregon se deri më tani ka  22 raste të ngordhjes së gjedheve. Ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë kanë marrë vetëm 800 vaksina. “Shpresoj se në një afat sa më të shpejtë, Qeveria të ndërmarrë masa dhe të sigurohet numri i nevojshëm për të parandaluar këtë sëmundje”.

Ndër të tjerash, Ilazi e ka shpalosur edhe shqetësimin për mosinteresimin e bizneseve për të shfrytëzuar tri zonat industriale të cilat ishin shpallur me vendim të Kuvendit Komunal. Njëra nga tri zonat industriale e ka infrastrukturën e gatshme për të funksionuar.

Buxhetin komunal për vitin 2016, kryetari e ka quajtur buxhet të mbijetesës e jo të zhvillimit ekonomik. “Krahasuar me vitin paraprak kemi një zvogëlim të buxhetit sidomos në investimet kapitale”, ka treguar ai.

Gjatë intervistës Ilazi ka folur edhe për të hyrat vetjake, investimet e huaja, për faljen e borxheve publike, grantet qeveritare e fondet e BE-së…

INTERVISTA E PLOTË:

besim ilazi

EO: Kryetar, cilat do t’i veçonit tri projektet më madhore që i keni kryer gjatë mandatit tuaj?

Ilazi: Sa i përket projekteve madhore, Komuna e Kaçanikut me thënë të drejtën njihet pak për projekte madhore për shkak të buxhetit që e ka, ndoshta edhe për shkak të investimeve të vogla të ministrive. Megjithatë, nga projektet do t’i kisha cekur këto projekte, të cilat disa janë në vazhdimësi e sipër. Kemi Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare një investim diku mbi 1 milion euro, që është bashkëfinancim nga Ministria e Shëndetësisë, “Caritasi” dhe Komuna e Kaçanikut, projekt ky që ka përfunduar para tre muajve. Pastaj e kemi projektin e dytë që është investim kapital i mbështetur nga Ministria e Infrastrukturës, që është në fshatin Dubravë një rrugë diku 800 mijë euro, e cila i ka përfshirë edhe lagjet e fshatit dhe mendoj që është një rrugë e mirë dhe ka kushte për bashkëjetesë. Po ashtu, është Salla e Sporteve, e cila është përkrahur nga Ministria e Kulturës. Projekti ka vlerën diku 1 milion e 500 mijë eurove. Në vitin e ardhshëm, shpresoj do të përfundojë.

EO: Me vendim të Kuvendit Komunal i keni shpallur tri zona industriale, çfarë është bërë në këtë drejtim?

Ilazi: Ato Zona vetëm janë shpallur, por për shkak të mosinteresimit të bizneseve kanë mbetur ashtu siç janë. Njëra nga këto e ka infrastrukturën e gatshme, sepse është rreth rrugës dhe e ka edhe kanalizimin edhe ujësjellësin dhe rrymën, po presim nga investitorët që edhe kjo zonë të funksionojë.

EO: Sa është arritur realizimi i të hyrave vetanake këtë vit deri më tani në raport me planifikimin e të hyrave,  si dhe a ka rritje të të hyrave vetanake krahasuar me vitin e kaluar?

Ilazi: Vazhdimisht nga viti 2014-2015 kemi rritje të të hyrave vetanake. Deri në këtë kohë kemi arritur diku 12 % rritje të të hyrave vetanake krahasuar me vitin e kaluar dhe shpresoj se ky trend të rritet deri në fund të vitit. Në vitin 2014 kemi pasur 404 mijë euro, në vitin 2015 kemi pasur  556 mijë euro dhe këtë vit shpresojmë se do të kemi rritje të të hyrave.

EO: Sa u përgjigjet nevojave të kaçanikasve buxheti i këtij viti, duke marrë parasysh që kërkesat e shumta të qytetarëve kanë të bëjnë me infrastrukturë?

Ilazi: Buxheti i komunës së Kaçanikut, po e ceku edhe përmes medies suaj, që është një buxhet i mbijetesës dhe jo i zhvillimit ekonomik. Krahasuar me vitin paraprak, kemi një zvogëlim të buxhetit sidomos në investimet kapitale. Për vitin 2015 kemi pasur diku 1 milion e 500 mijë euro investime kapitale, kurse në vitin 2016 kemi 1 milion e 53 mijë euro. Duke marrë parasysh që komuna e Kaçanikut ka 30 fshatra, plus qytetin, besoj se kjo është një shumë simbolike; duke marrë parasysh që edhe territori i Kaçanikut është një territor shumë i ashpër si dhe kostoja e investimeve është trefishi i investimeve.

EO:  Kaçaniku është cilësuar si “çerdhe” e xhihadistëve, sikur kanë shkruar disa medie të huaja? A ka më raste të shkuarjes së të rinjve në vendet e huaja ku po zhvillohen luftëra? Cilat masa i keni ndërmarr për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin?

Ilazi: Diku në 30 muajt e fundit nuk kemi as tentim të shkuarjes dhe as shkuarje të të rinjve në vatrat e luftës dhe mendoj se kjo ka bërë që të pasqyrohet realiteti në komunën e Kaçanikut. Është e vërtetë që kur e kemi hetuar një fenomen të tillë, kemi reaguar unë si kryetar dhe nga Këshilli i Sigurisë së Komunës dhe kemi arritur të reflektojmë pozitivisht te qytetarët që mos të kemi raste të reja të shkuarjes… Nga të dhënat reale që dalin sot shihet se Kaçaniku nuk është vatër. Në komunën e Kaçanikut nuk mund të vërehet një element i një gjëje të tillë që është quajtur nëpër media të tjera “kryeqyteti i xhihadizmit”…

EO: Pas këtij cilësimi që i është bërë komunës suaj, a mendoni se është e frikshme për një investitor të vijë dhe të investojë në Kaçanik?

Ilazi: Nuk mendoj që do të jetë. Po e marr një shembull se vitin e kaluar kemi pasur një investim nga një kompani holandeze, e cila edhe sot është në prodhim e sipër, dhe ka diku mbi 70 punëtorë të punësuar. Kostoja e investimit të asaj fabrike ka qenë afër 6 milionë euro. Shpresoj se kjo do të ishte një model për investitorët e tjerë që në Komunën e Kaçanikut ka hapësirë dhe kushte për të investuar.

EO: Sëmundja gungore e lëkurës që prek gjedhet është përhapur në vend dhe ka marrë përmasa shqetësuese. Sa raste janë lajmëruar në Kaçanik dhe cilat masa i keni ndërmarrë për parandalimin e saj?

Ilazi: Është e vërtetë që kohëve të fundit si shqetësim për banorët e komunës tonë është edhe kjo sëmundja gungore e lëkurës së gjedhit. Në komunën e Kaçanikut, kohëve të fundit kemi një rritje të ngordhjes së gjedheve. Deri më tani kemi 22 raste të ngordhjes së gjedheve, e të cilat janë groposur në vende të caktuara. Po e them të drejtën është shumë shqetësuese, sepse kemi rritje të kësaj. Mirëpo sa i përket anës së vaksinave që është i vetmi mjet për shërim mendoj që ka qenë një hendikep, për shkak se është një sëmundje e re në rajon dhe nuk ka mundur që Qeveria të sigurojë numrin e nevojshëm të vaksinave. Ne si komunë i kemi marrë vetëm 800 vaksina të cilat janë shpërndarë, por shpresoj se me një afat sa më të shpejtë qeveria të ndërmarrë diçka dhe të sigurohet numri i nevojshëm për të parandaluar këtë sëmundje.

EO: Komuna e Kaçanikut ka përfituar një grant nga fondet e BE-së, për vendosjen e numrave të shtëpive dhe objekteve afariste. Kur pritet të fillojë projekti dhe cila është rëndësia e tij?

Ilazi: Jemi në fazën finale të fillimit të këtij projekti. I kemi disa procedura në përfundim e  sipër, por shpresoj se shumë shpejtë do të vendosen numrat nëpër të gjitha rrugët në komunën e Kaçanikut… Rëndësia e këtij projekti është, sepse do të evidentohet çdo rrugë.

EO: Kanë mbetur edhe pak ditë deri në skadimin e afatit të Ligjit për Shlyerjen e Borxheve Publike. Sa ka pasur interesim nga ana e qytetarëve për të arritur kontrata? Sa kanë përfituar bizneset dhe qytetarët nga ky ligj?

Ilazi: Është e vërtetë që interesimi nuk ka qenë në atë masë sa kemi dëshiruar ne, megjithatë ne si komunë jemi munduar herë pas herë që përmes informimeve të ndryshme t’i njoftojmë qytetarët, por megjithatë mendoj se nuk e kemi arritur efektin e dëshirueshëm. Ndoshta do të jem joreal të them numrin e tyre, por të gjithë ata që janë të interesuar kanë mundur ta shfrytëzojnë këtë mundësi përmes të cilës mund që të aplikojnë deri më 2 shtator.

besim ilazi22

Të ngjashme