Ilir Meta betohet sot si Presidenti i ri i Shqipërisë

Prishtinë | 24 Kor 2017 | 08:06 | Nga

Kur mbeten edhe pak orë nga nisja e ceremonisë zyrtare të betimit të Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, gjithçka është pothuajse gati.

Salla e Kuvendit, sheshi përpara saj, por dhe rruga e cila ishte me pllaka të dëmtuara është rikonstruktuar nga një prej ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranes.

Ndërkaq, vëmendje i është kushtuar dhe gjelbërimit përreth sallës së seancave plenare, ku sot në orën 18:00 të së hënës pritet të zhvillohet edhe ceremonia e betimit të Ilir Metës.

Pas kësaj, në orën 19:00, Presidenti i sapobetuar do të drejtohet për në Presidencë, ku edhe atje janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të pritur të gjithë të ftuarit që do të jenë në ceremoni.

Mësohet se fillimisht Ilir Meta do të pritet në zyrë nga Presidenti në detyrë, Bujar Nishani. Më pas të dy do të dalin në sheshin përpara Presidencës, ku Metës, përpara fjalimit të tij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Gjatë kësaj ceremonie, Meta do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij, e jo nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila e ka bërë të ditur këtë vendim që në momentin kur Meta u votua si President në Parlament, shkruan syri.net.

Pas fjalës që do të mbajë Presidenti i ri, ai në mënyrë simbolike do të përcjellë paraardhësin Bujar Nishani, moment ky që pasohet nga ceremonia zyrtare me parakalimin e forcave të Gardës së Republikës dhe 21 të shtënat me top.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme