Fituesi i edicionit të parë të “Big Brother VIP”, Ilir Shaqiri, ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Wake UP” ku foli për ditët e para pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.
“Nuk është hera e parë që përjetoj një gjë të tillë, përsa i përket famës nga viti 2000-2007, ku kam qenë në programe të fuqishme në Itali. Kur dilnim nga puna, të hidheshin në makinë, nuk donin me e ditë më kë je në makinë. Edhe në rrugë. Ishte periudhë ku racizmi ndaj shqiptarëve ishte e madhe. Ndjesia është e njëjtë, artisti jeton për këtë gjë, gjithë jetën e tij, për dashurinë e publikut”, tha balerini i njohur.
I pyetur nëse e kishte kuptuar se “Big Brother VIP” kishte marrë këto përmasa të mëdha, Iliri tha se e kishte perceptuar se do shkonte mirë.
“Kisha perceptuar që gjëja shkonte mirë, si nga komentet që Arbana na jepte me pikatore dhe nga duartrokitjet. Ndërsa banorëve të rinj ju lexohej në sy që kishte sukses formati, por masën jo. E kam konfirmuar në vetvete kur programi u shty. Dihet që në Shqipëri që për emisionin e vet thotë është më i miri, por ky është më të vërtetë”, tha balerini i dashur për publikun.