Imazhi i mjekëve në Kosovë jo i mirë, po ndikon në migrimin e tyre

Prishtinë | 25 Tet 2017 | 11:14 | Nga Valbona Bytyqi

Humbja e besimit në shëndetësinë e Kosovës ishte problemi i cili u trajtua në tryezën “Imazhi i profesionistëve shëndetësorë, ndikimi i tij në sistemin shëndetësor” që u mbajt sot nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK).

Blerim Syla, kryetar i kësaj organizate, tha se qëllimi i kësaj tryeze është kthimi i besimit te institucionet shëndetësore.

“Qëllimi i kësaj tryeze ishte gjetja e mekanizmave institucionalë, në mënyrë që kthehet besimi tek institucionet shëndetësore”.

Dukuria e ikjes nga Kosova e mjekëve, sipas Sylës, duhet të jetë sinjal për të gjithë institucionet se diçka nuk është në rregull.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, e pranon se imazhi i shëndetësisë kosovare nuk është ai që duhet të jetë. Por, ai theksoi se Qeveria Haradinaj e ka ndër prioritetet kryesore përmirësimin e gjendjes së shëndetësisë në Kosovë.

“Imazhi që ka sot shëndetësia kosovare nuk është imazh që e dëshirojnë punëtorët shëndetësorë, institucionet por as pacientët. Të pafajshëm janë vetëm pacientët, ndërsa të gjithë të tjerët kanë përgjegjësi në humbjen e imazhit që ka ndodhur. Humbja e imazhit, apo e besimit te institucionet shëndetësore, nuk ka ndodhur brenda një vitit por ka ndodhur në vazhdimësi të këtyre viteve”, tha ai.

“Trajtimi jodinjitoz i profesionistëve shëndetësorë nga institucionet më të larta të shëndetësisë,politikat  të gjitha këto kanë bërë që punëtorët shëndetësorë të mos ndihen komodë në performancant dhe shërbimet”.

Sipas Berishës, Qeveria e Republikës së Kosovës është përcaktuar për një program real dhe aktual. “Dhe po besojmë shumë që shëndetësia është prioritet i qeverisë. Janë disa masa që janë marrë për financimin por edhe të qasjes më ndryshe”.

Ilir Hoxha, përfaqësues i “Solidar Suisse”, tha se edhe pse ka probleme të shumta në shëndetësi, shoqëria Kosovare më shumë e ka krijuar një perceptim se i gjithë procesi shëndetësor është jo i mirë.

“Problemi qenësor është se në një farë mënyre jemi duke kontribuar si shoqëri me i antemu proceset shëndetësore. E dimë që ka probleme, por nuk po besoj që ka dreqër e persona të ligë. Nr nuk jemi të vetëdijshëm sa keq është situata. Brenda pesë viteve, dhjetë viteve do të kemi departamente të shëndetësisë që do të mbyllen për shkak të mungesës së profesionistëve, si rezultat i migrimit, por edhe moskrijimit të kuadrove të reja”.

“Elementi tjetër shqetësues është që na jemi duke dërguar miliona në vendet në fqinjësi, por edhe në vendet më larg për punë që profesionistët tanë i kryejnë më mirë se ata në rajon”.

Ndër të tjera për gjendjen aktuale në shëndetësi Hoxha, tha se ndikon edhe paga e punëtorëve shëndetësorë dhe kushtet në të cilat ata punojnë.

Të ngjashme