Imeri: Nesër presim përgjigje nga ministri Vitia lidhur me kërkesën për rritje page

Prishtinë | 05 Dhj 2024 | 16:44 | Nga Diellza Gashi

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri pas takimit me ministrin e shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se nuk kanë marrë përgjigje nga ministri Vitia lidhur me kërkesën për rritje page, raporton Ekonomia Online.

Gjatë ditës së nesërme, ajo tha se pritet të mbahet dhe një takim me ministrinë Vitia.

Imeri theksoi se FSSHK-ja është e vendosur që të mos ndalet deri në realizimin e kërkesave të këtyre puntorëve.  

“Ministri i ka përsëritur të njëjtat gjëra që i ka biseduar edhe më herët, shprehu një gatishmëri për t’u ulur sërish për të biseduar, e lamë një takim për të nesërmen (e premte), megjithatë nuk ishte shumë i prerë sikurse herave tjera për kontratën kolektive dhe për kërkesat tjera të cilat i kemi ,por nuk ishte edhe shumë i qartë. Këtë herë nuk ishte i qartë ministri, kështu që po ia bëj me dije se në kërkesat tona janë të kuptueshme shumë mirë dhe i kam shumë të qarta dhe të freskëta, por po kërkon që të takohemi edhe njëherë që të bisedojmë, të shohim se çka po ndodh”, tha ajo.

Imeri ka thënë se shpreson që nesër (premte) do të kenë një takim më në detaje dhe konkret në përgjigje për kërkesat e punëtorëve shëndetësor nga ana e ministrit Vitia.  

“Pra nuk është asnjë premtim konkret, nuk është as që për protestën që folëm e as nuk i dhamë ngjyrim politik, por ishte çështja e seancës së Kuvendit duke u mbajtur ku do të diskutohej çështja e ligjit, ata ishin për ngut edhe ne ishim për ngut, kështu që vazhduam. Por, besoj që nesër do të organizohet një takim i radhës bashkë me ministrin”, tha Imeri para mediave

Të ngjashme