Importimi i automjeteve 15 vjet të vjetra, kërcënim serioz për shëndetin

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) shpreh shqetësimin dhe mospajtimin e thellë me vendimin e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik me të cilin synohet ndryshimi i Ligjit për Automjete për të rritur kufirin e vjetërsisë së automjeteve që importohen nga 10 vjet në 15 vjet, shkruan EkonomiaOnline.

“Është zhgënjyes dhe dëshpërues fakti se komisioni  parlamentar për zhvillim ekonomik, përkundër dëshmive shkencore të shumta mbi rreziqet që shkaktojnë shkarkimet nga automjetet e vjetruara, përkundër përpjekjeve dhe politikave në Evropë dhe në Botë, dhe në kundërshtim me rezolutat dhe strategjitë mjedisore të miratuara nga vetë Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, merr vendim për të bërë pikërisht të kundërtën – rritjen e ndotjes së ajrit,” thuhet në reagimin e KADC për medie.

Nëse miratohet, një politikë e tillë do të rezultojë me kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe ndotje të rëndë të ajrit, sidomos në mjediset urbane. Kjo do të mundësoj importimin e veturave me standardin evropian Euro 3 të shkarkimit që në vendet e BE-së është tejkaluar qysh para 13 viteve, që nga viti 2005.

Veturat me standard Euro 3, emetojnë tre-fish me shumë okside të azotit (NOx), dhjetë fish më shumë grimca të pluhurit (PM) dhe 30 % më shumë monoksid të karbonit (CO) se sa një veturë dhjetë vjet e vjetër.

Këta ndotës paraqesin rrezik serioz për fëmijët pasi që pengojnë zhvillimin normal të mushkërive të tyre dhe duke kontribuar drejtpërdrejtë në krijimin e problemeve afatgjate shëndetësore dhe uljen e jetëgjatësisë së tyre.

Një politikë e tillë shumëfishon mundësinë që qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata që jetojnë në zonat urbane, të preken nga sëmundje të rrezikshme të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes, sëmundjet kardiovaskulare dhe të vdesin para kohe.

Sipas OBSH-së, në vendet në zhvillim, rritja e ndotjes së ajrit shkakton më shumë se 2 milionë vdekje të parakohshme në vit (OBSH, 2014). Një nga burimet kryesore të ndotjes urbane të ajrit është transportit rrugor. Mbi 70-80% e ndotjes urbane të ajrit në qytetet e vendeve në zhvillim i atribuohet shkarkimit të emisioneve ne ajër nga një numër i madh i automjeteve të vjetra, mirëmbajtjes së dobët të automjeteve, infrastrukturës jo adekuate të rrugëve dhe cilësisë së ulët të karburanteve.

Agjencioni Evropian i Mjedisit (EEA) në raportin e cilësisë së ajrit e rendit sektorin e transportit si kontribuuesin më të madh të emetimeve të NOx (39%) dhe të dytin më të madhin të emetimeve të karbonit të zi- BC (29%), si dhe grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 (11%) në gjithsej 33 shtete anëtare të EEA.

Një nga problemet më të rënda shëndetësore publike sot është ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit. Gjithashtu, sipas Bankës Botërore, 10% e të gjitha vdekjeve në mbarë botën i atribuohen ndotjes së ajrit – më shumë se gjashtëfishi i vdekjeve nga malaria dhe më shumë se katër herë se ato të shkaktuara nga HIV/AIDS (Banka Botërore & IHME 2016). Ndërsa, kostoja ekonomike e braktisjes së punës që rezulton nga këto vdekje vlerësohet në 225 miliardë dollarë në vit.

Sipas të dhënave të  Qendrës së Automjeteve të Kosovës të shkurtit të vitit 2018, në Kosovë  qarkullojnë 358 855 mjete transporti. Shumicën e këtyre mjeteve, rreth 80 % e përbëjnë veturat e lehta të transportit për udhëtarë. Gjysma e këtyre automjeteve (50%) kanë standard shumë të ulët të lirimit të gazrave që lëviz prej Euro 1 në Euro 3. Ndërsa 21 % e mjeteve që gjenden në qarkullim në Kosovë janë me standard Euro 0 të emisionit. Vetëm një përqindje e vogël – 5.9 % dhe 2.4 % plotësojnë standardin euro 5 përkatësisht euro 6 të emisionit dhe 20 % tjera janë Euro 4.

Siç shihet nga këto dhëna, shoqëria jonë edhe tash ballafaqohet me një problem shumë të madh mjedisor dhe ndotje të lartë si rezultat i numrit të madh automjeteve të vjetruara, të cilat për shkak të përdorimit të gjatë nuk plotësojnë as standardet e shkarkimit të cilat i kanë të deklaruara në kohën e prodhimit.

Pra, në Kosovë, është e domosdoshme që të merren masa për përmirësimin e normave të lirimit të gazrave nga automjetet ekzistuese e jo të propozohen masa që e shndërrojnë Kosovën në deponi të mbeturinave të veturave të Evropës dhe që çojnë vendin drejt një katastrofe mjedisore.

Të ngjashme