Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) synon edhe një mandat për të parin e komunës së Lipjanit. Ai në një prononcim për Ekonomia Online, u shpreh i bindur se do të dalë fitues në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
“Ne kryejmë punët tona siç do vjet. Duhet të jemi aktiv siç kemi qenë viteve të kaluara për të përmbyllur projektet me të cilat jemi zotuar para qytetarëve për të përmbyllur objektivat me të cilat kemi hyrë në zgjedhje. Pastaj është zgjedhje e qytetarëve vlerësimi i tyre për nominimet e partive të tjera edhe për kandidimin tim. Kjo çështje është e qytetarëve dhe sigurisht nuk do të kisha hyrë në garë sikur të mos mendoja se do të fitojë”.
Duke folur për situatën epidemiologjike, kryetari i Lipjanit, Ahmeti ka thënë se vaksinimi është duke vazhduar, mirëpo vërehet mos interesim i qytetarëve.
“Realisht ka një rënie jashtëzakonisht të madhe të personave me Covid-19. Vaksinimi është duke vazhduar dhe kohëve të fundit vërehet një mos interesim i duhur për vaksinim. të gjithë personave mbi moshën 18 vjeçare u lejohet të cilët kanë mundësi ta marrin vaksinën dhe pres që të kem i fluks më të madh sesa që kemi pasur deri më tash për vaksinimi”, tha Ahmeti.
Ai theksoi se ka mjaft projekte për këtë vit në Komunën e Lipjanit ku aktualisht po punohet në të gjithë territorin duke filluar prej Gadimës.
Sipas tij, nuk kanë pasur shumë ankesa as në procedurat e prokurimit sepse shumica e projekteve janë kontraktuar .
“Projekte ka shumë, aktualisht po punohet në të gjithë territorin duke filluar prej Gadimes. Gati në çdo fshat është duke u punuar dhe jemi në kohën më intensive të punimeve sepse nuk është çështja e zgjedhjeve por për çdo vit punohet më shumë sepse buxheti aprovohet deri në mars. Jemi në rrugë të mirë për të mbyllur projektet. Nuk kemi pasur shumë ankesa as në procedurat e prokurimit dhe shumica e projekteve janë kontraktuar dhe një pjesë e tyre pritet të fillojë këtyre ditëve”, tha ai për EO.