Inaugurohet drejtimi i floktarisë në “Shtjefën Gjeçovi”, Nagavci: E rëndësishme koordinimi me biznesin për nevojat e tregut të punës

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 14:20 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, të mërkurën ka vizituar Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, ku njëri nga katër profilet e mësimit dual, shërben për drejtimin e floktarisë, e cila është inauguruar sot, raporton Ekonomia Online.

Gjatë inaugurimit të kësaj të drejtimit të floktarisë, Nagavci falënderoi bizneset për bashkëpunimin me këtë shkollë. Tha se 21 nxënës dy ditë të javës e kalojnë nëpër sallonet e bukurisë.  

Nagavci tha se synojnë që përmes mësimit dual të koordinohen për nevojat e tregut.

 “Pamë nga afër punën që bëhet në profilin e floktarisë, ky është njëri nga 4 profilet të mësimit dual që i kemi filluar në shtator të vitit të kaluar. Përveç punës që nxënësit e bëjnë në biznese, në rastin tonë në sallonet e floktarisë, këta 21 nxënës që i kalojnë dy ditë e javës në sallone. Këtu kemi gjetur mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut, që na kanë mbështetur në profile të ndryshme. Gjithë ky bashkëpunim me biznese ka ardhur si kërkesë e vetë bizneseve në bashkëpunim me shkollën. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të koordinojmë biznesin, nevojat e tregut të punës me përgatitjen e nxënësve, praktikë kjo e mësimit dual e cila implementohet suksesshëm në vendet e BE-së, kryesisht ato gjermano-folëse”.

Drejtori i Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla, premtoi që kjo Qendër do të bëhet më e mira në vend.

“Besoj që Qendra e Kompetencës nuk do t’u zhgënjej më këtë projekt, por do ta bëjë më të mirën e mundshme, për arsye se kemi edhe përvojën edhe ekspertizën edhe të gjitha”, tha shkurt ai.

Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, Fikrije Zymberi, tha se kushtet që i ofron kjo Qendër, i ofron mundësi nxënësve që pas diplomimit ta sigurojë një vend të punës.

“Ne tani mund të themi lirisht se këtu kemi mësimdhënës dhe instruktor që kanë njohuri mbi lëndët e tyre dhe shkathtësi të duhura pedagogjike e profesionale, kanë material trajnues, kanë këtë punëtori dhe të gjitha këto do të ndikojnë tek vetë nxënësit dhe përkojnë me standardet e kërkuara të punës. Gjithë këto mundësojnë që nxënësit tanë pas diplomimit të sigurojnë vende të punës”, tha ajo.

Eric Dietz, përfaqësues i ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, u shpreh i lumtur me përkrahjen që i kanë dhënë kësaj Qendre. Të njëjtën tha se do ta bëjnë edhe në të ardhmen.

Dietz tha se përkrahjen për Kosovën do ta zgjerojnë edhe në shumë fusha, si në teknologji e energji të ripërtëritshme

“Luksemburgu ka qenë dhe është një partner afatgjatë i Kosovës, dhe është krenar që po e mbështet sektorin e arsimit e në veçanti sektorin e aftësimit profesional. Jam i bindur që kjo punëtori e floktarisë do të jetë një aset i vlefshëm për shkollën dhe komunitetin në përgjithësi. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona që t’a rrisim bashkëpunimin me sektorin privat e sidomos mësimin dual. Mësimi dual do të ndikoj në përfomancën dhe në angazhimin e kompanive që të angazhohen më shumë në edukimin profesional. Qeveria e Luksemburgut është e përkushtuar që të vazhdoj të ndihmojë sektorin e arsimit më fokus të qartë në teknologjinë e informimit dhe komunikimit, në energjinë e ripërtritshme dhe të nxënit gjatë jetës, për të ju garantuar mundësi punësimi të rinjve dhe të tjerëve”, tha ai.

Të ngjashme