Inaugurohet rruga që lidh Kosovën e Shqipërinë, do ta lehtësojë komunikimin në dy anët e kufirit

Dragash | 22 Maj 2018 | 16:37 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është inauguruar rruga Krushevë-Shishtavec që lidh Kosovën dhe Shqipërinë, e financuar nga Bashkimi Evropian. Investimi është pjesë e Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar të IPA-s dhe synon të lehtësojë komunikimin mes banorëve nga dy anët e kufirit, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm në përurimin e projektit ishin zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se kjo pikë kufitare sjell qasje më të lehtë të komunikimit dhe zhvillim ekonomik përmes tregjeve.

Po, ashtu ai tha se kjo pikë po ua bën të mundshme banorëve të këtij vendi të jenë më të afërm me familjarët e tyre përtej kufirit.

“Zgjedhja e këtij projekti nga BE është simbolik vetë se miqtë tanë i shohin nevojat e miqve tanë dhe të ndihmoj kombin dhe qeverinë qendrore që së bashku me projektin të zhvillojmë hapësirë që njerëzit të jetojnë të lumtur dhe shpresoj që herën tjetër kur të vijmë në këtë vend të bëjmë përurim të ndonjë fabrike apo biznesi”, tha Limaj.

Limaj u bëri apel banorëve të Dragashit të shfrytëzojnë bukuritë natyrore dhe mundësitë që ky vend iu ofron për të mbajtur familjet e tyre dhe të tjerëve.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se është e lumtur që gjendet këtu për të shënuar së bashku përfundimin e ndërtimit të rrugëve që lidhin Kosovën me Shqipërinë.

“Të dy vendet ne programin e tyre të bashkëpunimit kufitar kanë identifikuar si prioritet përmirësimin e infrastrukturës rrigore në ketë zonë kufitare, nëpërmjet fondeve të BE-së dhe zyrave të BE-së në Shqipëri dhe Kosovë këto nevoja të infrastrukturës tani janë duke u zbatuar dhe shuma e investimeve është 1 milion për secilin vend”, tha Apostolova.

“Ne besojmë që infrastruktura më e mirë do të ndihmojë në ndalimin e trafikut të paligjshëm në këtë pikë ndërkufitare dhe do të lehtësojë rrjedhën e trafikut kufitar dhe kontrollet e duhura në përputhje me standardet e BE-së”, shtoi Apostolova.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha sot njerëzit po lëvizin lirshëm në këtë vend duke shpresuar që kjo pikë rrugë të sjellë pozitivitet të madh në kompanitë e ndryshme, raporton EO.

“Disa ditë më parë ishte e pamundur të kalonim në këtë rrugë dhe sot me mbështetjen e zyrës së BE-së dhe mbështetjen e dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë jemi në një rrugë moderne e cila është një ndjesi e mirë për neve dhe gjithë banorët e dy anëve të kufirit”, tha Minxhozi.

“Uroj që në të ardhmen në këtë vend të ketë qendra tregtare nuk ka rëndësi se nga cila anë të bëhet mjafton qe të ofrojnë produktet e tyre dhe ky vend të bëhet atraksion turistik jo vetëm për banorët por edhe për gjithë trevat e Shqipërisë dhe Kosovës, kemi rrugë të gjatë për tu bërë pjesë e BE-së me projekte dhe zhvillime jam i bindur që së bashku do ta arrijmë këtë destinafion final”, shtoi Minxhozi.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, tha se kjo ditë është historike për banorët e kësaj ane e që do të ndikojë drejtpërdrejtë në infrastrukturën dhe sferat e tjera që lidhen me zhvillim ekonomik.

Ai tha se komuna e Dragashit ka edhe prioritete tjera si ndërtimi i pikës kufitare me shtetin e Maqedonisë ku shpreson që do ketë mbështetje edhe nga aktorët e tjerë.

 

 

 

Të ngjashme