Është mbajtur tryeza përmbyllëse “Zbatimi i Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, e organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP.
Donikë Beqiri, koordinatore e këtij projekti nga Instituti, bëri përmbledhjen e projektit dhe tregoi të gjeturat e projektit në përgjithësi, raporton Ekonomia Online.
Ajo e cilësoi Pakon e Ringjalljes Ekonomike, si një ndër më të rëndësishmet, ndërsa tregoi për zbatimin dhe qëllimin e saj.
“Pako e Ringjalljes Ekonomike është një ndër pakot më të rëndësishme, që ka vlerën më të lartë të mjeteve financiare dhe pako që prek dimensione të ndryshme. Pako ka filluar të zbatohet që nga korriku i vitit të kaluar.”
“Ka pasur për qëllim rikuperimin ekonomik, rritjen e bruto produktit vendor si dhe aftësimin e të rinjve profesional në fusha të ndryshme dhe fuqizimin e grupeve me vulnerabilë që pandemia i ka prek më shumë, si gratë, pensionistët e personat me nevoja të veçanta”, u shpreh ajo.
“Përgjegjëse kryesore për projektimin dhe zbatimin ka qenë ministria e financave por nuk janë lënë anash as institucionet tjera që kanë bashkëpunuar. Ka pasur institucionet të caktuara që kanë qenë përgjegjëse për masa të caktuar. INDEP ka punuar dhe ka bërë një sërë aktivitetesh, kanë filluar me 13 buletine informuese, dhe kanë ofruar mjaftueshëm info për qytetarët, mënyra se si t’i qasen masave dhe si t’i zbatojnë ato.”
Tutje, Beqiri tha se INDEP ka përpiluar tri raporte me qëllim monitorimin e secilës masë dhe se është gjetur se në total janë zbatuar 10 masa plotësisht, 9 në mënyrë të pjesshme , 3 në nivel të kufizuar dhe pa zbatuar kanë mbetur 3 masa.
“Gjatë kësaj periudhe INDEP ka përpiluar tri raporte që kanë pasur për qëllim monitorimin e secilës masë veç e veç. Raporti i fundit ka të gjetura të detajuara. Një e gjetur që doja ta përmendja sot, atë sa masa janë zbatuar. Deri tani 10 masa në plotësi janë zbatuar, 9 në mënyrë të pjesshme , 3 në nivel të kufizuar dhe pa zbatuar kanë mbetur 3 masa.”
Ndërsa, hulumtuesi i lartë nga INDEP-i, Dardan Abazi, tha se Instituti ka ndërmarr një sërë aktivitetesh për promovimin e masave.
“Vitin e kaluar INDEP ka ndërmarr një sërë aktivitetesh me anë të të cilave synonte të promovonte masat e rimëkëmbjes dhe masat e ringjalljes ekonomike. Projekti ynë kishte për qëllim të shërbente në kuptimin që të shihte se sa janë zbatuar, në çfarë niveli kanë shkuar dhe cili ishte impakti në rimëkëmbjen ekonomike në sektorë të ndryshëm.”
Sami Salihu, drejtor i departamentit për regjistrim të tatimpaguesëve në ATK, tha se e kanë mbështetur në disa pika këtë pako, si subvencionimin e të punësuarve dhe të vetë-punësuarve në sektorin privat.
“ATK ka mbështetur edhe subvencionimin e të punësuarve dhe të vetë-punësuarve në sektorin privat.”
“ATK ka zhvilluar aplikacionin kur të gjithë të punësuarit, punëdhënësit kanë aplikuar për këto masa, 1.1, 1.2 dhe 1.3. Masa 1.1 i dedikohej të gjithë punëdhënëseve qe kthenin punëtorët në punë e që humbën për shkak të pandemisë. Masa 1.2 mbështetja për të punësuarit, përfitimi ishte 10% i pagës bruto, maksimum për 12 muaj. Ndërsa për punësimin e grave, 50% të pagës bruto për tre muaj”, u shpreh ai.
Tutje, Salihu tregoi edhe shifrat e personave që kanë aplikuar për secilën masë.
“Për masën 1.1 kanë aplikuar 470 biznese ku në lista kanë qenë 1013 të punësuar. Për masën 1.3 kanë aplikuar 1810 punëdhënës, për 4882 persona në listat e tyre. Masa 1.3 ka pasur më shumë aplikime. Nuk do të thotë që të gjithë kanë fituar, pasi nuk i kanë plotësuar kriteret.”
“Për 100 euro në sektorin privat, e kemi zhvilluar aplikacionin dhe përmes publikimit të tij aplikuan personat. Numri total i personave që kanë aplikuar është mbi 336 mijë. Mbi 72 mijë persona janë të refuzuar për arsye të shumta.”
Florin Aliu, ekspert i pavarur i ekonomisë, vlerësoi se raporti është i përpiluar mirë dhe se përmes tij ka arritur të kuptojë qëllimin e Pakos, mirëpo tha se nuk ka parë rritje të punësimit nga kjo pako.
“Së pari, dua t’ju uroj për raportin, është jashtëzakonisht mirë i përpiluar – mënyra, metodologjia qasja, hapja e temës, identifikimi i pikave. Raporti i mirë dhe shumë informues. Unë përmes këtij raporti arrita me kuptu pakon e ringjalljes ekonomike, sepse ka qenë e paqartë.”
“Një problem që e kemi shumë të madh është se çdo pako ekonomike, ka qëllim rritjen ekonomike, rritjen e punësimit e standardit. Problemi është që ne kemi rritje ekonomike, por nuk kemi rritje të punësimit”, u shpreh ai, raporton EO.